Vuçiq: Kurti ëndërron të bëhet si Zelenskyy

“Më e keqja ende nuk ka ardhur”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi të dielën se situata më e vështirë në lidhje me Kosovën nuk ka ardhur ende, sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ëndërron të bëhet si presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Sipas Vuçiqit, në Kosovë do të ndodhë diçka që Serbia nuk e ka parë deri më tani dhe nuk mund ta ëndërronte.

“Dhe gjithçka falë veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme të (kryeministrit të Kosovës) Albin Kurti. Kam frikë nga pasiguria e përgjithshme dhe paqëndrueshmëria. Kam frikë edhe nga konfliktet e mëdha sepse e di që serbët nuk mund ta tolerojnë këtë, dhe e di që ky tjetri që shkaktoi gjithçka, nuk dëshiron të tërhiqet sepse dëshiron dhe ëndërron të bëhet si Zelenskyy”, tha Vuçiq në televizionin serb “Pink”.

Tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës janë rritur të premten pasi policia e Kosovës u përlesh me serbët lokalë të cilët u mblodhën para ndërtesës së Komunës së Zveçanit për të bllokuar hyrjen e kryetarit të sapozgjedhur shqiptar në zyrë.

Policia u vendos përreth objektit, së bashku me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe personelin e Forcave të NATO-s në Kosovë.

Sipas raportimeve të mediave, nga granatat shokuese dhe gazi lotsjellës u plagosën të paktën 10 persona ndërsa një automjeti të policisë iu vu zjarri dhe u dëgjuan të shtëna me armë automatike.

Serbia urdhëroi ushtrinë e saj të premten të nisej drejt kufirit me Kosovën dhe i kërkoi NATO-s të ndalonte “dhunën kundër serbëve lokalë” në Kosovë.

Presidenti serb Vuçiq i bëri thirrje ushtrisë dhe forcave të sigurisë të jenë në gatishmëri luftarake. Serbët e Kosovës të shtunën i bënë thirrje Vuçiqit që të pezullojë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kategoritë
LajmeRajoni