Vuçiq: Mbrëmë në Mlladenovc ndodhi një akt terrorist

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të punojë në çarmatimin e qytetarëve serbë dhe paralajmëroi prani të shtuar të policisë nëpër shkolla

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se sulmi i mbrëmshëm në Mlladenovac ishte akt terrorist dhe se duhet të bëhen përpjekje për çarmatosjen e plotë të Serbisë, raporton Anadolu.

Vuçiq gjithashtu premtoi se vrasësi nga Mlladenovaci, i cili u arrestua sot në mëngjes, “nuk do ta shohë më diellin me sy”.

Në Mlladenoc, sulmuesi 21-vjeçar U.B. vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë.

Vuçiq shtoi se dje ka pasur 25 ndërhyrje në territorin e Serbisë për shkak të “sjelljes së papërgjegjshme të të rinjve duke imituar përbindëshin vrasës”, por se shteti ka forcën për ta mposhtur “të keqen dhe ta shpëtojë vendin”.

“Ata nuk do të kenë sukses ta mposhtin Serbinë dhe vlerat e saj, vlerat e lirisë, nuk do të kenë sukses të shkatërrojnë jetët e gjashtë milionë njerëzve”, tha Vuçiq.

Ai kërkoi që Ministria e Drejtësisë të ashpërsojë masat për mbajtjen, trafikimin pa leje dhe të paautorizuar të armëve.

“Për shembull, për kallashnikov nga dy deri në 12 vjet, kurse për bomba dhe granata, deri në 15 vjet burg, ndërkaq minimumi të jetë pesë vjet. Ata që mbajnë armë pa autorizim, gjithashtu nga pesë deri në 12 vjet“, tha Vuçiq, duke shtuar se do ta çarmatosë Serbinë.

Në konferencën për media, ai kërkoi që atyre që u miratohet leja për mbajtjen e armëve duhet tu nënshtrohen kontrolleve gjashtëmujore, ku përfshihet edhe testi për substancat psiko-aktive.

Vuçiq kërkoi gjithashtu që në dy vitet e ardhshme të merren të gjitha masat dhe një moratorium për posedimin dhe mbajtjen e të gjitha llojeve të armëve.

Siç tha ai, policia duhet të kontrollojë 45 mijë personat që “pëlqejnë përbindëshin” në rrjetet sociale.

Vuçiq tha se është shqyrtuar mundësia e investimeve të mëtutjeshme, por nuk ka ndihmuar as në shkollën “Rugjer Boshkoviç”, as në shkollën “Vladislav Ribnikar”, sepse fëmija vrau rojen.

Ai njoftoi gjithashtu punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1 mijë policëve që do të jenë në shkolla. Siç tha ai, shteti është i gatshëm të bëjë “çdo gjë të nevojshme që psikologët, pedagogët dhe mësuesit tanë të bëjnë punën e tyre”.

“Duhet të vazhdojmë të jetojmë të lirë, vetëm duhet të marrim një vendim për t’iu kundërvënë kësaj të keqe”, tha Vuçiq.

Vuçiq shtoi më tej se i ka propozuar kryeministres së Serbisë dhe qeverisë kthimin e dënimit me vdekje, por propozimi është refuzuar.

Ditët e zisë për fëmijët dhe rojën e shkollës të vrarë në sulmin në shkollën “Vladislav Ribnikar” do të bëhen edhe ditë zie për viktimat në Mlladenovc. Ditët e zisë zgjasin nga sot deri të hënën.

Kategoritë
LajmeRajoni