Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që t’i dërgojë kërkesë komandantit të KFOR-it për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Këtë vendim e ka bërë të ditur pak ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Është marrë vendim që tani në formë elektronike dhe nesër në mëngjes personalisht t’i dorëzojmë komandantit të KFOR-it një kërkesë për kthimin e një numri të caktuar, në qindra, deri në një mijë, të forcave tona në Kosovë e Metohi. “, tha Vuçiq pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë.
Ai tha se bëhet fjalë vetëm për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe se sipas asaj që ka dëgjuar nuk do të pranohet. Ai po ashtu ka theksuar se kjo është hera e parë që Qeveria e Serbisë zyrtarisht dërgon një kërkesë të tillë.
Ai po ashtu tha se komandanti i KFOR-it është i obliguar që të përgjigjet pozitivisht në përputhje me rezolutën 1244, por se mund të thotë se ende nuk janë plotësuar kushtet ose ta shtyjë këtë vendim.
Në Kosovë, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët kryesore në veri të Kosovës për të gjashtën ditë, ndërsa policia e Kosovës ka ndaluar qarkullimin nëpër pikat kufitare me Serbinë.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së Gabriel Escobar u bëri thirrje serbëve që të heqin barrikadat dhe vuri në dukje se barrikadat duhet të hiqen nga ata që i vendosën. Përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës janë tërhequr nga institucionet shtetërore të Kosovës.