Vuçiq: Nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës

Presidenti serb vlerësoi se Serbia “vështirë” se mund t’i kundërvihet hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe se do të luftojë që Kosova të mos hyjë në UNESCO, duke shtuar se kjo do të jetë “paksa e vështirë”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë deklaroi se 106 shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa 84 shtete pa mëdyshje njohin pavarësinë e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas tij, nëntë shtete të tjera kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, prej të cilave Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet, ndërsa pritet edhe shteti i dhjetë ta bëjë këtë, tha Vuçiq në konferencën vjetore për shtyp,

Vuçiq vlerësoi se Serbia “vështirë” se mund t’i kundërvihet hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe se do të luftojë që Kosova të mos hyjë në UNESCO, duke shtuar se kjo do të jetë “paksa e vështirë”.

“Para nesh janë sfida të vështira sa i përket Kosovës. Ne donim paqen, mezi ia dolëm ta ruanim, jo ​​për fajin tonë. Nuk provokuam askënd për asnjë sekondë, përveç nëse disa thonë se është një provokim që ne e perceptojmë Kosovën ose qytetarët tanë në Kosovë si qytetarë dhe bashkëqytetarë tanë dhe se e perceptojmë si pjesë të territorit tonë në përputhje me Kushtetutën”, ka theksuar Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia nuk ka shkaktuar “asnjë incident dhe asnjë veprim të njëanshëm”, dhe se “nuk do të turpërohet” nga Kushtetuta dhe populli i saj.

Duke folur për hyrjen e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vuçiq tha se po pret “ardhjen ekspertëve” për t’u shpjeguar se kjo është zgjidhja e vetme e mundshme dhe se kjo është e vetmja rrugëdalje për Serbinë.

Ai tha se “të ashtuquajturat media të pavarura” në Serbi thonë se “Vuçiqit do t’ia vënë zinxhirin në qafë” nëse Kosova bëhet e pavarur duke i porositur “se këtë zinxhir mund t’ia lidhin një pule”, por vështirë se mund t’ia lidhin atë “një njeriu krenar që nuk do të përkulët dhe nuk do të gjunjëzohet para pushtuesit”.

Vuçiq theksoi se Serbia do të vazhdojë luftën dhe se gjithmonë do të “dëshirojë paqe” me shqiptarët, se do të insistojë në respektimin e të pesë marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe vlerësoi se shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar po “ikin” nga të gjashtë dokumentet dhe nuk respektojnë asnjërin prej tyre.

“Ne do të vazhdojmë luftën tonë, secili punën e tij – ata shantazhin dhe kërcënimin, kurse ne do ta mbrojmë lirinë dhe pavarësinë tonë, që ta mbrojmë Serbinë sepse nuk kemi shtet tjetër”, tha Vuçiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për një zgjidhje të mundshme që Serbia mund të ofrojë për krizën e Kosovës kur të rifillojnë negociatat, Vuçiq tha se sa herë që dikush ofron zgjidhje, “ju do të vrisnit lajmëtarin dhe mendjen e shëndoshë, para se dikush të mendojë se çfarë është e mirë për vendin tonë”.

Ai theksoi se Serbia është e gatshme të diskutojë “zgjidhje të panumërta kompromisi” dhe nënvizoi se këto duhet të jenë zgjidhje kompromisi, “dhe jo poshtërim për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë”.

Duke komentuar deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili me rastin e shënimit të ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska tha se “vitet që vijnë duhet të jenë si shenjë e bashkimit serb”, Vuçiq tha se si festohet festa e bashkimit kombëtar, serbët vazhdojnë të bashkohen “në aspektin e kulturës, gjuhës dhe festave, e jo në aspektin e bashkimit shtetëror-juridik”.

“Uniteti serb, si çdo unitet tjetër, nuk duhet ta dëmtojë askush dhe nuk duhet t’i pengojë askujt. I uroj gjithë të mirat popullit të Republikës Sërpska dhe dua sa më shumë unitet me ta, pa e dëmtuar integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës apo kujtdo tjetër”, përfundoi Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni