Vuçiq nesër shkon në Rashkë për takim me serbët nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër në ora 12:00 në Qendrën e Kulturës Gradac në Rashkë do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiq, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Brnabiq dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë sot se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova do të kenë takim me presidentin, kryeministrin dhe ministrat “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë dhe Metohi”.

“Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë dhe Metohi, duke filluar nga arrestimet dhe akuzat, e duke përfunduar me tentativën e vrasjes së (Milan Jovanoviqit afër Urës së Bistricës),” ka akuzuar Simiq në televizionin, Pink.

Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.

Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur Milan Jovanoviq.

Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.

Policia e Kosovës, e cila fillimisht mohoi përfshirjen në incident, suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në të shtënat.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se hetimet e para kanë treguar se shoferi nuk është ndalur në sinjalin e policit, i cili më pas ka shtënë.

Për këtë arsye, pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor dhe prokurorit, katër zyrtarë të policisë janë arrestuar, si dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Kategoritë
LajmeRajoni