Vuçiq: Normalizimi me Kosovën është jorealist për shkak të qeverisë së saj

“Problemi thelbësor nuk është çfarë dikush do të thotë apo çfarë dikush do të zbatojë. Nëse ne mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me shqiptarët është shumë më e rëndësishme”, tha Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve të vendit të tij me Kosovën është jorealist për shkak të qeverisë së saj.

“Problemi thelbësor nuk është çfarë dikush do të thotë apo çfarë dikush do të zbatojë. Nëse ne mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me shqiptarët është shumë më e rëndësishme. Kam frikë se kjo nuk është realiste me këtë lloj qeverisje në Prishtinë”, tha Vuçiq.

Duke folur për televizionin serb ‘TV Pink’ në Verona të Italisë para takimit normalizimit të nesërm, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në Bruksel, Vuçiq tha se bisedimet e normalizimit do të ishin “torturuese” dhe se ai nuk është optimist për përparim.

Negociatorët kryesor të Beogradit dhe Prishtinës për dialogun, Petar Pekoviq dhe Besnik Bislimi, nesër takohen në Bruksel për të hedhur hapin e parë drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi i nesërm do të jetë i pari në kuadër të dialogut nën patronazhin e BE-së që kur presidenti Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, arritën një marrëveshje për mënyrën si të zbatohet marrëveshja e mbështetur nga BE-ja në raundin e fundit të bisedimeve të mbajtura më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja erdhi pas 12 orësh bisedime mes kryeministrit Kurti, presidentit Vuçiq dhe zyrtarëve të BE-së.

Kujtojmë e më 27 shkurt, Serbia dhe Kosova ranë dakord për të nënshkruar një propozim për normalizimin e marrëdhënieve pas një takimi në Bruksel.

Sipas zyrtarëve të BE-së, palët ranë dakord më vonë se si ta zbatojnë marrëveshjen.

Dialogu Serbi-Kosovë

Dialogu Beograd-Prishtinë i udhëhequr nga BE-ja, i nisur në vitin 2011, synon të gjejë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për mosmarrëveshjet në kornizën e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme.

Pas një shpërthimi në tensionet kufitare verën e kaluar, në muajin shtator, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për bisedimet, Miroslav Lajçak, paraqiti propozimin e fundit të bllokut për normalizimin.

BE kërkon që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet për të përparuar në integrimin e tyre në bllokun evropian.

Shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Türkiyen, njohën Kosovën pasi shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Serbia vazhdon ta konsiderojë atë si territor të saj.

Kategoritë
LajmeRajoni