Vuçiq para takimit me Kurtin: As do të ketë kapitullim, as kthim në vitet e nëntëdhjeta

Presidenti i Serbisë para nisjes për në Bruksel tha se Serbia do të shkojë përpara sa do e vështirë të jetë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para nisjes së tij për Bruksel, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e Serbisë do të bëjë atë që është më e mira për vendin, raporton Anadolu.

Vuçiq publikoi adresimin e tij para qytetarëve në profilin e tij në Instagram, duke falënderuar pjesën e popullit në Serbi që ka besim në lidershipin e saj shtetëror.

“Atyre që paraprakisht janë përgatitur të na sulmojnë, për diçka që kemi nënshkruar, sepse kështu do të bëhemi tradhtarë, kurse në fakt nuk janë brengosur kurrë për vendin e tyre, dhe për ata të tjerët, të cilët nëse nuk nënshkruajmë diçka paraprakisht e dinë se jemi fajtorë dhe se do të kthehemi në të nëntëdhjetat, dua vetëm t’u them që të mos shqetësohen, ne do të kujdesemi për ta, nuk do të ketë kapitullim, as do të ketë kthim në vitet nëntëdhjeta”, ka thënë Vuçiç.

Ai shtoi se Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë.

Vuçiq dhe Kurti do të takohen me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel.

Brukseli ka thënë se në takim do të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, fillimisht do të takohen ndaras me liderët dhe më pas do të mbahet një takim i përbashkët trepalësh.

Kategoritë
LajmeRajoni