Vuçiq pas takimit me Erdoğan-in: Kjo është epoka e artë e marrëdhënieve serbo-turke

Presidenti serb tha se vizita e homologut të tij turk është një nder dhe privilegj i madh për Serbinë dhe se dy vendet i kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin më të lartë në historinë moderne

Presidenti i Serbisë, Alkandar Vuçiq, tha se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Türkiye-s kanë arritur nivelin më të lartë në historinë moderne të dy vendeve dhe se “kjo është epoka e artë e marrëdhënieve serbo-turke”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e turk Recep Tayyip Erdoğan në Beograd, Vuçiq tha se vizita e presidentit turk është një nder dhe privilegj i madh për Serbinë dhe se dy vendet i kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin më të lartë në historinë moderne.

“Kemi arritur ta ngremë shkëmbimin tregtar nga nën një miliard euro në gati 2,5 miliardë. Besoj se jemi në rrugën e duhur për të përmbushur atë që më dukej si synim i pamundur, që shkëmbimi tregtar mes Türkiye-s dhe Serbisë të arrijë në pesë miliardë euro. Është për t’u gëzuar që investimet turke vazhdojnë të vijnë në Serbi dhe ajo që është e rëndësishme është që kompanitë turke në Serbi punësojnë gati 10 mijë njerëz”, theksoi Vuçiq, duke shtuar se progresin dhe bashkëpunimin e deritanishëm do ta ndjejnë shumë qytetarë të Serbisë.

Ai shtoi se së shpejti qytetarët do të mund të përdorin rrugën Novi Pazar–Tutin të gjatë 22 kilometra, e cila, tha ai, dikur ishte “rruga e vdekjes”, por sot është një rrugë moderne, falë efikasitetit të kontraktorëve turq dhe idesë për të ndërtuar rrugën së bashku.

“Ne presim që në një periudhë të shkurtër kohore të përfundojmë autostradën prej 19 kilometrash dhe kështu të lidhemi me Bosnje e Hercegovinën”, tha ai, duke shpresuar që edhe nga pjesa e Bosnje e Hercegovinës të merret vendim për të filluar ndërtimin e asaj pjese të autostradës drejt Sarajevës.

Ai theksoi se Serbia dhe Türkiye kanë planifikuar shumë projekte të përbashkëta, duke shtuar se delegacionet e dy vendeve kanë diskutuar sot për rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe në këtë kontekst ka bërë të ditur se Serbia dëshiron të blejë dronë Bayraktar, të prodhuar në Türkiye.

“Unë shoh që e gjithë bota e dëshiron atë (dronin Bayraktar). Kështu që ne kemi hyrë në radhë. Ne presim, shpresojmë se do të arrijmë ta realizojmë (blerjen). Jemi gati të rrisim kërkesën për Bayraktar dhe të paguajmë shumë më shumë para se disa dhjetëra milionë euro që u dakorduan fillimisht. Ne jemi të gatshëm të kalojmë në një shifër prej disa qindra milionë eurosh me të cilën do të ishim të gatshëm ta paguajmë Bayraktar-in”, tha Vuçiq.

Ai falënderoi presidentin Erdoğan për mbështetjen e tij për nismën “Ballkani i Hapur” dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ata diskutuan gjithashtu respektimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë dhe takimin trepalësh ndërmjet Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Türkiye-s.

Vuçiq theksoi se me homologun e tij turk kanë diskutuar edhe për situatën në Ukrainë, për çështjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe për energjinë.

Ai theksoi se ka kërkuar ndihmën e presidentit Erdoğan për transmetimin e energjisë elektrike në rast të një marrëveshjeje për t’u furnizuar nga Azerbajxhani gjatë sezonit të dimrit.

Ai tha se Türkiye ishte një nga destinacionet turistike më të vizituara për turistët serbë këtë sezon veror dhe se numri i turistëve turq në Serbi po rritet.

“Më vjen mirë që në vendin tonë dëgjojmë gjithnjë e më shpesh gjuhën turke dhe shohim miqtë tanë turq. Dua t’u them atyre se ata janë të mirëpritur në Serbi dhe ne do të kujdesemi që miqësinë tonë ta ruajmë në nivelin më të lartë”, tha Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni