Vuçiq: Rezervat aktuale me gaz në Serbi të mjaftueshme për vetëm 3 muaj

“Kjo nuk mjafton për 100 për qind të konsumit në vetëm tre muaj dimër, por sigurisht që mbulon një pjesë të konsiderueshme, respektivisht 70 për qind të konsumit”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se vendi i tij ka rreth 660 milionë metra kub gaz për dimër, mjaftueshëm për tre muaj konsum.

Komentet e presidentit serb erdhën dje në Budapest në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi me kryeministrin hungarez, Viktor Orban dhe kancelarin austriak, Karl Nehammer.

Vuçiq tha se Serbia ka depo të mbushura me afër 380 milionë metra kub gaz në Hungari, si dhe 276 deri në 280 milionë metra kub gaz në fshatin Banatski Dvor të Serbisë.

“Kam kërkuar që të mos mbushim magazinën në Hungari deri në 500 milionë për shkak të parave, për të kursyer një pjesë të parave, sepse ai gaz është i shtrenjtë. Ky nuk është gazi që ne marrim nga Rusia për 400 dollarë. Ne do të mund të tërheqim nga Hungaria maksimumi 6 milionë metër kub në ditë dhe 4 milionë metër kub nga Banatski Dvor, që do të thotë 10 milionë në ditë. Kjo nuk mjafton për 100 për qind të konsumit në vetëm tre muaj dimër, por sigurisht që mbulon një pjesë të konsiderueshme, respektivisht 70 për qind të konsumit”, tha Vuçiq.

Ai tha se Serbia arriti të sigurojë këtë sasi të gazit vetëm për rreth dy muaj.

Orban, nga ana e tij, tha se Hungaria do të ndihmonte me furnizime fqinjin e saj jugor, Serbinë, nëse do të ishte e nevojshme.

Serbia në muajin korrik bleu edhe 500 milionë metra kub gaz nga dy kompani hungareze për gjithsej 250 milionë euro.

Orban tha se gazi do të ruhet deri më 1 tetor në dy objekte në Hungari, pas së cilës 3 milionë metra kub gaz do të jenë në dispozicion në ditë deri në muajin shkurt. Në fund të muajit maj, Hungaria njoftoi se do të lejojë Serbinë të ruajë gazin natyror në objektet e saj të magazinimit për dimër.

Kategoritë
LajmeRajoni