Vuçiq: Serbia është për negociata me Prishtinën, por nuk mund të bisedohet për njohje të ndërsjellë

“Nuk do të implementoj anëtarësimin e Kosovës në OKB apo diçka të ngjashme dhe këtë e kam përsëritur 50 herë”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbrëmë komentoi takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, ku tha se ishte i gatshëm të fliste për propozimin, por se nuk do të implementojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, apo diçka të ngjashme, transmeton Anadolu.

Gjatë paraqitjes së tij të mbrëmshme në televizionin shtetëror serb RTS ku ishte i ftuar, Vuçiq foli për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin u takuan me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Dje në Bruksel pati bisedime, ne nuk arritëm marrëveshje, biseduam, do të vazhdojmë dhe do të ketë shumë bisedime të tjera, asgjë më shumë se kaq”, deklaroi Vuçiq.

Duke folur më tej për përmbajtjen e takimit të fundit, Vuçiq tha: “Nuk do të implementoj anëtarësimin e Kosovës në OKB apo diçka të ngjashme dhe këtë e kam përsëritur 50 herë. Pra, ne bëjmë një plan implementimi dhe për këtë Miroslav Lajçak do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën”.

“Jam i gatshëm të flas për gjithçka tjetër, dua normalizim, nuk turpërohem nga kjo, por këtë nuk do ta nënshkruaj”, tha ai.

“E rëndësishme është të flasim, kështu që në tryezë nuk mund të vendoset për lëkurën tuaj. Serbia dëshiron të flasë, por nuk mund të flitet për njohjen e ndërsjellë, njohjen dhe hyrjen e Kosovës në OKB”, ky ishte citati i publikuar në faqen e tij zyrtare në Instagram gjatë intervistës.

Vuçiq gjithashtu foli edhe për Ukrainën, ku ndër të tjera theksoi se Ukraina është një mike e sinqertë e Serbisë.

“Ukraina është mikja jonë e sinqertë e cila nuk ka bërë asgjë kundër Serbisë. Kurrë asgjë”, tha Vuçiq. I pyetur nëse Serbia ka punuar kundër Ukrainës, Vuçiq tha: “Jo, absolutisht asgjë”.

Kategoritë
LajmeRajoni