Vuçiq takohet me përfaqësuesen e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe shefen e UNMIK-ut

Presidenti serb ka thënë se për Serbinë është thelbësore që çështja e Kosovës të vazhdojë të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, para së gjithash që bashkësia ndërkombëtare të jetë e informuar në mënyrë transparente për situatën në terren.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

“Gjatë takimit, Vuçiq theksoi se Serbia me përkushtim dhe në mënyrë të vazhdueshme mbështet respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe zbatimin e Rezolutës ligjërisht të detyrueshme 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës u themelua UNMIK-u. Vuçiq shtoi se për Serbinë është thelbësore që çështja e Kosovës të vazhdojë të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, para së gjithash që bashkësia ndërkombëtare të jetë e informuar në mënyrë transparente për situatën në terren”, thuhet në deklaratën e kabinetit të presidentit serb.

Ziadeh tha se UNMIK-u në përputhje me mandatin e saj respekton Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244, si dhe mbështet respektimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.

Vuçiq gjithashtu shtoi se vazhdimi i angazhimit të UNMIK-ut në Kosovë është i domosdoshëm, para së gjithash, për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme e përcjellë me incidente të shumta.

“Beogradi është plotësisht i përkushtuar ndaj dialogut, siç dëshmohet nga vullneti i treguar për vazhdimin e negociatave në Bruksel, si dhe përpjekjet e përgjithshme në kërkimin e zgjidhjes së krizës së imponuar nga pala prishtinase duke ndërmarrë hapa të njëanshëm. Ne i konsiderojmë të papranueshme sulmet e shpeshta ndaj serbëve, pronës dhe trashëgimisë së tyre, prandaj është vendimtar reagimi në kohë, si dhe dënimi i provokimeve nga Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha Vuçiq, duke shprehur shpresën se Serbia do të ketë sukses në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Vuçiq theksoi se Serbia është e përkushtuar për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, i cili kontribuon drejtpërdrejt në procesin e pajtimit, përfundon deklarata.

Kategoritë
LajmeRajoni