Vuçiq thotë se situata rreth vizitës së Lavrovit në Serbi është “ndërlikuar”

Situata rreth vizitës së ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov në Serbi më 7 qershor po “ndërlikohet”. Kështu deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 2 qershor, duke folur në konferencën Globsek në Bratislavë.

“Situata rreth ardhjes së Lavrovit po bëhet më e ndërlikuar në çdo kuptim, por unë nuk jam ende gati të flas për këtë. Ekziston një pyetje, si do të arrijë Lavrov, çfarë… e të tjera. Do të shohim”, është përgjigjur Vuçiq ndaj një pyetjeje të gazetarëve të bërë gjatë forumit nga kanali televiziv RTS.

Gazetarët gjithashtu e pyetën Vuçiqin nëse ekzistonte mundësia që kancelari gjerman Olaf Scholz ta anulonte vizitën e tij në Serbi më 10 qershor nëse Lavrov do të vinte dhe nëse ky do të ishte një lajm i keq për vendin e tij.

Vuçiq u përgjigj se gjithsesi ky do të ishte një lajm i keq për Serbinë.

“Shpresoj që kjo të mos ndodhë. Le të shohim së pari nëse do të arrijë Lavrov dhe më pas gjithçka tjetër. Ka reagime edhe nga vende të tjera”, ka thënë Vuçiq.

Kujtojmë se më herët u njoftua se kreu i diplomacisë ruse Sergei Lavrov do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi më 7 qershor.

Kategoritë
LajmeRajoni