Vuçiq u zhgënjye nga Perëndimi dhe Turqia: Nuk e keni më besimin tonë

Tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës prej disa kohësh nuk po zbuten dhe duket se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dalëngadalë po i humbet atutë në negociata.

Kreu serb iu referua deklaratave të ambasadorit gjerman, Jörn Rohde, duke thënë se ai është “i njohur për qëndrimet e tij antiserbe dhe se ndërhyn në çdo gjë, duke filluar nga ajo se çfarë fasule do të hahet në Mitrovicën e Veriut dhe më gjerë”.

Duke folur nga Azerbajxhani, ku ndodhet për vizitë zyrtare, për mediat serbe, të cilat normalisht i kontrollon, ai iu referua deklaratës së Rohdes se barrikadat në Kosovë duhet të hiqen deri në Krishtlindje.

Deklarata e tij është e rrezikshme, është kërcënim për popullin serb”, ka thënë Vuçiq, përcjell N1. Ai po ashtu ka pyetur se pse Prishtina i përmend viktimat dhe sa serb do të vrasin, e ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, natyrisht në një kontekst negativ.

Vuçiq doli në përfundimin se Gjermania dëshiron dominim të plotë në Ballkan. Ai shtoi se ushtria serbe është dhjetë deri në pesëmbëdhjetë herë më e fortë se dhjetë vjet më parë dhe se në Baku do të diskutohet për bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

“Sigurisht që na duhet një ushtri e fortë, përndryshe do të na gëlltitnin si mace e mi”, tha Vuçiq dhe më pas iu drejtua Turqisë.

Siç thotë ai, marrëdhëniet me ta do t’i shikojë me një masë të kujdesshme pasi që ata po e “armatosin Prishtinën”, ndërsa mendon për mjetet ajrore pa pilot që Kosova duhet t’i marrë prej tyre.

“Më mirë të flasim një mijë ditë sesa të luftojmë një ditë”, ka përfunduar presidenti i Serbisë.

Kategoritë
LajmeRajoni