Wigemark: EULEX i gatshëm të ofrojë siguri në Kosovë

“Kemi treguar përkushtim dhe rezultate konkrete me shkatërrimin e 65 grupeve kriminale që nga fillimi i mandatit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, xhandarëve të Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar të Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u janë ndarë medalje, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra pjesëtarë të EULEX-it të cilët po qëndrojnë në Kosovë për t’i ndihmuar Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Misionit të NATO-s (KFOR) nga muaji mars i këtij viti, morën medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark tha se pjesëtarë të EULEX-it bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të qenë të koordinuar në veprimet e ndërmarra.

Wigemark tha se përmes veprimeve të saj, Kosova po e dëshmon se e ka vendin në Evropë.

“EULEX qëndron gati për të ofruar siguri dhe një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, theksoi Wigemark duke folur edhe mbi aktualitetin dhe luftën e fundit në Ukrainë si kërcënim për sigurinë evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në një kohë të luftës në Evropë, mekanizmat evropianë të sigurisë duhet të jenë evropianë dhe të sigurt si kurrë më parë.

Kurti tha se mbështetja e EULEX-it për Policinë e Kosovës duhet të vazhdojë të rritet, duke shtuar se me Qeverinë që ai udhëheqë luftimi i korrupsionit bëhet normë.

“Qeveria jonë e bazuar në fitoren plebishitare të 14 shkurtit të vitit të kaluar që ka vënë në qendër qytetarin ka për synim parësor sundimin e ligjit. Pra, për këtë kemi treguar përkushtim dhe rezultate konkrete me shkatërrimin e 65 grupeve kriminale që nga fillimi i mandatit dhe konfiskimin mbi 450 kilogramë të substancave narkotike vetëm këtë vit”, theksoi Kurti i cili shtoi se veprime të tilla kanë rritur besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë dhe rendit.

Njësia rezervë e policisë së specializuar të EULEX-it përbëhet prej 70 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Portugalia dhe Franca.

Ajo ka zbarkuar në Kosovë duke iu përgjigjur nevojës së EULEX-it për të pasur forca shtesë në terren, në mënyrë që ky mision të jetë në gjendje t’i mbështesë më mirë homologët e tij kosovarë nëse kjo kërkohet duke marrë parasysh mjedisin e sigurisë në Kosovë dhe sigurinë në rajon.

Kategoritë
LajmeVendi