Xhaçka: Jemi mirënjohës që kemi pasur mbështetjen e Turqisë gjatë momenteve të vështira

Ministrja Xhaçka ka theksuar se shqiptarët dhe turqit ndajnë shumë histori, shumë miqësi, jo vetëm në nivel zyrtar, por mbi të gjitha në nivel njerëzor.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka realizuar një vizitë zyrtare në Türkiye, ku është takuar me homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency(AA).

Pas takimit mes tyre, Xhaçka dhe Çavuşoğlu kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve, zhvillimet rajonale dhe çështje të tjera.

Ministrja Xhaçka ka theksuar se shqiptarët dhe turqit ndajnë shumë histori, shumë miqësi, jo vetëm në nivel zyrtar, por mbi të gjitha në nivel njerëzor.

Ajo shtoi se janë mirënjohës që kanë pasur mbështetjen e Türkiye-s gjatë momenteve të vështira, siç theksoi ajo, “ku dua të nënvizoj dy nga rastet më të rëndësishme, ndihmën dhe mbështetjen bujare për rindërtimin tonë pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, por dhe ndihmën bujare gjatë pandemisë së COVID-19″.

“Takimi ynë i sotëm vjen edhe në kuadër të Grupit për Dialog Politik dhe shënon nisjen zyrtare të tij, siç parashikohet në deklaratën për partneritetin strategjik. Në takimin tonë u ndalëm në përgatitjet për takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë të Këshillit të Bashkëpunimit, i cili do të drejtohet nga presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama”, tha Xhaçka.

Ajo tha se sot diskutuan konkretisht mbi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë dhe shtoi se i ka kërkuar homologut të saj turk që të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave të brendshme në Türkiye për të finalizuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit.

Ajo tha se i ka shprehur kryediplomatit turk vlerësimin e lartë për lobimin e fuqishëm të Türkiye-s për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe globale.

“Lidhur me situatën në Ukrainë, ne vlerësojmë rolin e Türkiye-s dhe rolin udhëheqës personal te presidentit Erdoğan, për arritjen e një marrëveshjeje mes Ukrainës dhe Rusisë, përmes ‘Iniciativës së Detit të Zi’ për eksportin e grurit nga Ukraina nën garancinë e Kombeve të Bashkuara dhe Türkiye-s, duke kontribuar kështu në parandalimin e krizave ushqimore në të gjithë botën”, tha Xhaçka.

Kategoritë
BotaLajme