Xhaferoviq: Çdo vizitë e presidentit Erdoğan në BeH dhe në rajon ka efekt qetësues dhe balancues

“Bosnjë e Hercegovina dëshiron bashkëpunim rajonal të lidhur me respektin reciprok. Türkiye e njeh shumë mirë rajonin dhe mbështetja që ajo ka dhënë për rajonin është plotësisht në drejtim konstruktiv”, tha Xhaferoviq.

Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviq tërhoqi vëmendjen mbi vizitën zyrtare që presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan do të zhvillojë në BeH më 6 shtator dhe tha se kjo vizitë është e rëndësishme edhe në aspektin e rritjes së marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Xhaferoviq në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli mbi vizitën zyrtare që presidenti Erdoğan do të zhvillojë në vendin e tij.

Ai tha se vizita që Erdoğan do të zhvillojë më 6 shtator në BeH është e rëndësishme për BeH dhe për rajonin. “Marrëdhëniet tona me Türkiye-n në 4 vitet e kaluara ishin në nivelin më të lartë. Kjo vizitë që do të zhvillojë presidenti i Türkiye-s, Erdoğan në Bosnjë e Hercegovinë, është e rëndësishme në aspektin e rritjes së marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve”, tha Xhaferoviq.

“Në shumicën e vizitave tona reciproke me presidentin Erdoğan, fokusi ka qenë mbi bashkëpunimin ekonomik. Kompanitë e mëdha turke si Şişecam dhe Natron Hayat, janë në mesin e kompanive më serioze në BeH. Në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë që kemi nënshkruar me Türkiye-n, biznesmenëve nga BeH iu është dhënë një status i rëndësishëm që nuk e kanë pasur në asnjë vend tjetër. Türkiye dëshiron të rrisë marrëdhëniet ekonomike me ne. Objektivi ynë është të rrisim vëllimin tregtar në nivelin e 1 miliard dollarëve”, tha Xhaferoviq.

– “Çdo vizitë e presidentit Erdoğan në BeH dhe në rajon ka një efekt qetësues dhe balancues”

Duke vënë në dukje mbështetjen që presidenti Erdoğan ka dhënë për Marrëveshjen e Dejtonit, Xhaferoviq deklaroi se “Bosnjë e Hercegovina dëshiron bashkëpunim rajonal të lidhur me respektin reciprok. Türkiye e njeh shumë mirë rajonin dhe mbështetja që ajo ka dhënë për rajonin është plotësisht në drejtim konstruktiv. Në kuadër të kësaj çdo vizitë e presidentit Erdoğan në BeH dhe në rajon ka një efekt qetësues dhe balancues”.

Vizita që presidenti Erdoğan do të zhvillojë, krahas marrëdhënieve ekonomike është e rëndësishme edhe në aspektin e stabilitetit të rajonit, potencoi Xhaferoviq i cili shtoi më tej se:

“Kohët e fundit marrëdhëniet ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të trazuara. Lufta në Ukrainë ka sjellë vështirësi të mëdha. Türkiye rolin e saj të rëndësishëm në garantimin e paqes ndërkombëtare e ka treguar në sigurimin e eksportit të drithit nga portet e Ukrainës dhe në negociatat e tjera. Türkiye i kushton një rëndësi të madhe të gjithë rajonit, veçanërisht BeH-së. Objektivi i Türkiye-s është stabiliteti i Ballkanit. Presidenti Erdoğan dhe Türkiye kanë një rol të madh në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Ai theksoi se “Kur ka marrëdhënie historike dhe kulturore ashtu si në shembullin e Türkiye-s dhe BeH-së, nuk mund të ketë kufizime në bashkëpunimet që do të bëhen. Ka edhe vende të tjera që BeH zhvillon bashkëpunime, por me Türkiye-n kemi bashkëpunime në shumë fusha si në politikë, ekonomi, mbrojtje, sport, kulturë, shëndetësi dhe arsim. Türkiye është gjithashtu një nga partnerët kryesorë të BeH-së në mbrojtjen, rindërtimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, e cila është baza e identitetit tonë”.

Kategoritë
LajmeRajoni