Xhaxhai i viktimës në Prizren: Djemtë s’u ndalën as në kufi, nipi ishte i vdekur kur mbërriti në Shqipëri

Besim Cengu, xhaxhai i Visart Cengut, 31-vjeçarit të vrarë në Prizren, ka thënë se nipi i tij dhe dy shokët e tij, po iknin pas zënkës në lokalin “Cobra City”, kur sipas tij, janë qëlluar nga pronari i lokalit. Pas tragjedisë, tre djemtë që ishin qëlluar, kanë ikur drejt Shqipërisë dhe nuk ishin ndalur as në kufi. Visart Cengu ishte i vdekur kur ata kishin mbërritur në Shqipëri, ka thënë ai.

Ai ka thënë se që të tre djemtë shqiptarë nga Kukësi ishin mërgimtarë, që kishin shkuar për ta vizituar për qejf Prizrenin. Ai ka thënë se darkën, që të tre, nuk e kishin ngrënë në lokalin ku ndodhi gjithçka.

“Ata tre djem kanë shkuar në Prizren për të konsumuar një darkë për qejf. Kanë qenë paqësor, edhe në kontrollin e veturës, nuk është gjetur as edhe gjysmë fisheku. Djemtë tanë nuk kanë konsumuar bukë aty, kanë ngrënë diku tjetër”, ka thënë ai në Pressing të T7.

“Aty janë kthy me pi nga një pije, dhe aty ka nis konflikti. Kanë djemtë, kanë hipur në makinë, pas ngatërresës brenda, dhe sapo janë nisë janë qëlluar. Këta kanë qenë jo në ofensivë, por në defansivë, kanë qenë duke ikur”, ka thënë tutje Cengu, duke e quajtur të dyshuarin Dibran Hoxhaj “një kapadai gjysmë-oriental”.

Kategoritë
LajmeVendi