Xhudistet e humbin Botërorin e kadeteve, shkak vonesa e vizave dhe neglizhenca në Ambasadë

Prej 28 deri më 31 gusht në Lima të Perusë mbahet Kampionati Botëror i xhudos për grupmoshën e kadetëve (U18).

Në këtë kampionat botëror është dashur të paraqiten edhe dy xhudistet kosovare, Sidorela Dodaj dhe Erlule Musaj. Dodaj është dashur të garojë në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Musaj në kategorinë deri 57 kilogramë.

Udhëtimi për në Peru është dashur të bëhet të hënën përmes Vjenës, por megjithatë ka dështuar. Për këtë arsye, xhudistet mbesin jashtë Botërorit.

Bashkë me xhudistet është trajnerja Majlinda Kelmendi. Tri anëtaret e delegacionit kosovar është dashur që të hënën në ora 12:00 të pajisen me viza të Perusë në ambasadën e këtij vendi në Vjenë. Ndërkohë termini u është shtyrë për në orën 16:00, me arsyetimin se kanë telashe në sistem. Vizat megjithatë nuk janë bërë deri në ora 18:40 dhe kështu xhudistet e kishin të pamundur të arrijnë me kohë në aeroport për fluturimin Vjenë – Lima, të orës 20:10.

Por në ekipin e Kosovës në xhudo vlerësojnë se fluturimi do të arrihej me kohë, nëse në dispozicion të xhudisteve do të ishte një veturë.

“Për këtë arsye në Ambasadën e Kosovës në Vjenë ka shkuar me kohë kërkesa që ekipi i xhudisteve të asistohet gjatë qëndrimit disaorësh në këtë qytet. Ishte marrë konfirmimi se kjo do të ndodhte, por në orën 15:00 trajnerja jonë është njoftuar se ambasada e ka të pamundur të asistojë ekipin për udhëtim nga ambasada deri në aeroport, me arsyetimin se njëra prej dy veturave të ambasadës është pa regjistrim. Sikur në dispozicion të ekipit të ishte një veturë, fluturimi me shumë mundësi do të arrihej. Afër ambasadës nuk ka pasur taksi dhe për këtë arsye udhëtimi për në aeroport nuk ka mundur të bëhet shpejtë dhe fluturimi është humbur”, kanë treguar nga ekipi i Kosovës në xhudo.

Botërori i kadeteve është gara e parë e madhe pas Lojërave Olimpike në Paris, ku Kosova i fitoi dy medalje. Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë, ndërsa Laura Fazliu të bronztë.

Pas suksesit në Paris, lëvdatat për xhudistët ishin të shumta dhe nga të gjitha anët. Natyrisht, edhe nga drejtuesit e shtetit.

Por kur vëmendja largohet pak nga ekipi, xhudistët jo rrallë ndiejnë që nuk e kanë përkrahjen e duhur nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në vende të tjera.

Edhe telashet me viza, sidomos për vendet e Amerikës Latine, nuk mungojnë.

Kategoritë
Sport