Xhudistja Loriana Kuka fiton medaljen e tretë të artë për Kosovën në “Oran 2022”

Xhudistja ka fituar në finale kundër francezes Chloe Buttigieg në kategorinë e xhudos për vajza deri në 78 kg

Xhudistja kosovare Loriana Kuka është bërë medalistja e tretë e artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” në Algjeri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Xhudistja ka fituar në finale kundër francezes Chloe Buttigieg në kategorinë e xhudos për vajza deri në 78 kg.

25-vjeçarja Loriana Kuka ishte bartësja e dytë, ndërsa francezja bartësja e katërt, ku ndaj saj, xhudistja kosovare fitoi në kohën shtesë.

Loriana garën e nisi prej çerekfinales, ajo fillimisht e mposhti turken Nurcan Yilmaz me “Ippon”, duke realizuar mbërthim të suksesshëm.

Me “Ippon” fitoi edhe ndaj kroates Petrunjela Paviq, në gjysmëfinale.

Për xhudistët kosovarë është kjo është medalja e tretë e artë në Lojërat Mesdhetare dhe e pesta gjithsej. Medalje të arta kanë fituar edhe Distria Krasniqi e Laura Fazliu, ndërsa Flaka Loxha e Akil Gjakova fituan medalje të bronzta.

Të bronztë në “Oran 2022” fitoi edhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Kategoritë
LajmeSport