Një nga lojtarët më të besuar të Gareth Southgate në Kombëtaren e Anglisë ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar disa orë përpara se menaxheri i përkohshëm Lee Carsley të emërojë skuadrën e tij të parë.
Carsley është vendosur në krye të ekipit kombëtar pas vendimit të Southgate për të dhënë dorëheqjen si trajner pas humbjes së Anglisë në finalen e Euro 2024 nga Spanja në fillim të kësaj vere.
Megjithatë, vetëm disa orë përpara se të emëroi skuadrën e tij të parë për ndeshjet e muajit të ardhshëm në Ligën e Kombeve kundër Republikës së Irlandës dhe Finlandës, një anglez ka njoftuar tërheqjen e tij.
Mbrojtësi i Newcastle United, Kieran Trippier, 33 vjeç, ka njoftuar me anë të një deklarate zyrtare se ka vendosur pensionimin pas ndeshjeve të Euro 2024.“Kurrë nuk e kam menduar si djalë i ri nga Bury se do të luaja për vendin tim, aq më pak të arrij 54 paraqitje. Ka qenë një nga nderimet më të mëdha të jetës sime të përfaqësoj vendin tim në 4 turne të mëdhenj”.
“Dua të them një falënderim të madh për Gareth dhe të gjithë stafin që ka punuar me skuadrën e Anglisë për besimin që kanë dhënë tek unë gjatë gjithë viteve”.
“Faleminderit të gjithë shokëve të mi të skuadrës – ne kemi pasur disa momente shumë të veçanta duke arritur në finalet e 2 Kampionateve Evropiane dhe një gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe jam i sigurt se në të ardhmen ky grup lojtarësh do të fitojë një turne të madh”.“Dua t’i uroj Lee, stafit stërvitor dhe ekipit çdo të mirë për të ardhmen”.
“Dhe në fund një falënderim i madh për të gjithë tifozët e Anglisë për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme që udhëtoni në të gjithë botën për të na mbështetur dhe për të na mbajtur në momentet e vështira”, ka shkruar Trippier.
Trippier zhvilloi 54 paraqitje me Anglinë pasi debutoi për herë të parë për kombëtaren në vitin 2017 në një humbje miqësore ndaj Francës.