Ylli i Barçës befason të gjithë me deklaratën e tij – thotë se i ka humbur dashuria për futbollin

Përgjatë viteve të fundit, Jules Kounde është shndërruar në njërin prej mbrojtësve të djathtë më të mirë në botën e futbollit, kjo përkundër faktit që ai është me pozitë natyrale mbrojtës qendror.

Ai u detyrua që të ndryshojë pozitën e tij nën urdhrat e ish-trajnerit të tij Xavi Hernandez, por tashmë duket se është mësuar me të.

“Ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë se ne kemi kriteret dhe qëllimet tona brenda lojës. Unë jam ai që e di më së miri se çfarë jam në gjendje të bëjë në fushë. Në rastin tim, kur luaj mbrojtës i djathtë gjykohem për gjëra që nuk janë pika ime e fortë”.

“E kuptoj se kam ndryshuar pozitat dhe kjo kërkon gjëra të tjera. Unë po punoj për këtë”, ka thënë fillimisht Kounde.

Kounde gjithashtu ka folur për ndjesitë e të qenurit futbollist profesionist. Ai ka pranuar se ka filluar ta humbasë gradualisht dashurinë që kishte për futbollin gjatë viteve të fundit, pasi interesa të tjera kanë hyrë në jetën e tij.

“Është e vështirë sepse kam shumë interesa. Dua që familja ime të jetë e sigurt. Gjithashtu do të doja t’i ndihmoja të tjerët”.

“Nuk e shoh veten si trajner, por i shoh raportet trajner-lojtar si shumë interesant, ka shumë stres. Të jesh një trajner është diçka e komplikuar”.

“Do t’iu gënjeja nëse do të thosha se e dua futbollin njësoj siç bëja më herët. Dikur kjo ishte karriera ime, tani është thjeshtë një punë. Kur fillova, jeta ime jashtë fushës ishte në plan të dytë”, përfundoi francezi

Kategoritë
LajmeSport