Njëri prej lojtarëve kryesor të Liverpoolit raportohet se ka vendosur se cili do të jetë klubi i tij i ardhshëm në rast se nuk rinovon kontratën në ‘Anfield’.
‘Të Kuqtë’ kanë shijuar një fillim fantastik të seoznit nën urdhrat e trajnerit të ri Arne Slot, i cili zëvendësoi Jurgen Kloppin në verë.
Momentalisht Liverpooli është lider në Ligën Premier teksa kanë po ashtu edhe një epërsi prej tri pikësh në krye të renditjes në Ligën e Kampionëve.
Sidoqoftë, përkundër fillimit pozitiv të sezonit, ka shqetësime të mëdha sa i përket të ardhmes së disa prej lojtarëve të tyre më të rëndësishëm.
Emra si Mohamed Salah, Virgil Van Dijk dhe Trent Alexander-Arnold do të largohen nga klubi falas verën e ardhshme në rast se nuk arrihet rinovimi.
Në ndërkohë, tashmë ka pasur sugjerime sa i përket të ardhmes së sulmuesit Luis Diaz.
Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll Antena 2, Liverpooli po përballet me disa probleme sa i përket përpjekjeve të tyre për ta rinovuar kontratën e Diaz e cila skadon në 2027.
Si rezultat, është raportuar se kolumbiani do të ishte i interesuar të transferohej tek Barcelona në rast se vendos të largohet nga Liverpooli.
Megjithatë, Diaz nuk do të kërkojë të largohet, por e ka pozicionuar veten për t’u bërë pjesë e Barcelonës në rast se nuk arrihet gjuha e përbashkët për rinovimin e kontratës.