Ylli i Man Utd mbeti i detyruar të largohej nga ‘Old Trafford’ në mes të ndeshjes me Lyonin

Arsyeja pse Victor Lindelof u detyrua të largohej nga ‘Old Trafford’ gjatë përballjes së Manchester United ndaj Lyonit është zbuluar. 

Të enjten e kaluar, United dhe Lyoni prodhuan një spektakël futbolli në Ligën e Evropës.

Pasi ndeshja përfundoi 2-2 pas 90 minutave, u desh koha shtesë për t’u përcaktuar fituesi.

Rayan Cherki dhe Alexander Lacazette e çuan rezultatin në 4-2 para se golat e Bruno Fernandes, Kobbie Mainoo dhe Harry Maguire të sigurojnë rikthimin sensacional 5-4.

Pas ndeshjes, u zbulua se mbrojtësi Lindelof u detyrua të largohej nga ‘Old Trafford’ për arsye personale.

Tani, gruaja e lojtarit, Maja, ka zbuluar se Lindelof u desh ta braktisë ndeshjen pasi djali i tyre u dërgua me urgjencë në spital pas një lëndimi serioz në kokë.

“Një orë para se ndeshja të fillonte, dadoja jonë telefonoi dhe tha se ata janë në një ambulancë rrugës për spital”.

“Djali im i vogël Francis kishte një të çarë të madhe në kokën e tij. Ai kishte qenë duke e ndjekur vëllaun e tij të madh Ted Louie në shtëpi, kur u rrëzua në shkallët tona prej xhami”.

“Balli i tij ishte në dy pjesë. Ai ishte në spital të enjten dhe të premten. Atij do t’i duhet një operacion plastik për t’ia vendosur në vend ballin. Ai u vu nën anestezi”, ka thënë gruaja e Lindelof.

Lindelof u kthye në aksion gjatë vikendit në humbjen që Unitedi e pësoi me rezultat 1-0 në shtëpi ndaj Wolverhampton Wanderers.

Kategoritë
LajmeSport