Ylli i Premier Ligës publikon foton e parë pas aksidentit të tmerrshëm: Isha pranë vdekjes

Ylli i West Hamit, Michail Antonio, ka publikuar foton e tij të parë pas aksidentit të rëndë automobilistik që pësoi në dhjetor të vitit 2024.

Ky 34-vjeçar u dërgua në spital me këmbë të thyer pasi u nxor me vështirësi nga rrënojat e Ferrarit të tij tepër të shtrenjtë.

Ai mbeti i bllokuar në makinë për më shumë se 45 minuta dhe pranoi se kishte frikë për jetën e tij. Aksidenti ndodhi pasi ai u përplas me një pemë teksa po kthehej në shtëpi nga stërvitja në Epping Forest.

Antonio kujton se moti ishte me erë dhe shi, ndërsa ishte dhënë paralajmërim për stuhinë Darragh.

“Kur më gjeti policia, isha mes dy sediljeve. Nuk isha në vendin e shoferit,” tha Antonio në një intervistë për BBC dhe shtoi:

“Ata më thanë se dukej sikur po përpiqesha të dilja nga dritarja, por për shkak të dhimbjeve nga këmba e thyer, nuk mund ta bëja.”

Sulmuesi u dërgua me urgjencë në spital dhe u lirua 24 ditë pas aksidentit. Kur u pyet nëse mbante mend diçka nga aksidenti, Antonio tha “asgjë”.

“Është e çuditshme, sepse gjatë gjithë rrugës më thoshin se isha i vetëdijshëm dhe po flisja me të gjithë – policinë, njerëzit dhe personin që më gjeti,” shtoi ai dhe vijoi më tej:

“E kuptova se isha pranë vdekjes. Pashë fotografitë, por në realitet ishte dhjetë herë më keq. Makina ishte një katastrofë totale, e kisha shumë të vështirë.”

Burime pranë lojtarit zbuluan se ai pati shumë fat që mbeti gjallë duke parë gjendjen e Ferrarit të tij. Ata gjithashtu thanë se ai nuk do të mund të luajë këtë sezon.

Fillimisht, u mendua se rikuperimi i tij do të zgjaste deri në 12 muaj, por raportohet se ai do të rikthehet në stërvitje individuale muajin e ardhshëm.

Kontrata e tij me West Hamin skadon në verën e vitit 2025 dhe ende nuk është marrë një vendim për të ardhmen e tij në stadiumin e Londrës.

Kategoritë
Sport