Yuri Kim largohet nga Shqipëria, Berisha: E vetmja diplomate në histori që ka dëmtuar marrëdhëniet Shqipëri – SHBA

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, pritet të largohet së shpejti, për shkak të mbarimit të mandatit. Largimin e Kim nga Shqipëria e ka komentuar sot kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në konferencë nga selia blu me gazetarët, Berisha tha se Yuri Kim është e vetmja diplomate amerikane që ka dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve.

Sipas Berishës, sjelljet dhe veprimet e Yuri Kim  në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur.

“Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur. Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim. Sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur. Ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik. I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar. Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj se po të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria”, tha Berisha.

Në mbarim të mandatit të ambasadores Yuri Kim, Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur procedurat e zëvendësimit. Besohet se zëvendësi ambasadores Kim mund të jetë David Kostelanick.

Për momentin ai është këshilltari i stafit ushtarak në Pentagon dhe më parë ka qenë diplomat dy herë në Ambasadën Amerikane në Moskë, në Hungari dhe gjithashtu shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore.

Ministria e Jashtme sqaron se për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk mundëson të bëjmë komente.

Fillimisht është DASH që i dërgon emrin për pëlqim Ministrisë së Punëve të jashtme dhe pasi të jetë dakordësuar emri i propozuar nominohet për postin e ambasadorit nga Presidenti I SHBA-së.

Kategoritë
LajmeRajoni