Zafir Berisha akuzon komisionerët për manipulim të zgjedhjeve: Deputetët u përzgjodhën nga komisionerët, jo nga qytetarët

Kandidati për deputet, Zafir Berisha, ka ngritur akuza të rënda mbi procesin zgjedhor, duke pretenduar se komisionerët zgjedhorë kanë ndikuar ndjeshëm në përbërjen e Kuvendit të ardhshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha ka deklaruar se ndër vite, rreth 5 deri në 10% e vendimeve mbi përfaqësuesit parlamentarë janë ndikuar nga procesi i numërimit, por sipas tij, në zgjedhjet e fundit ky përqindje ka shkuar deri në 60-70%, duke i lënë qytetarët në një rol dytësor.

“Me një fjalë, Kuvendi i ardhshëm do të përbehet nga të përzgjedhurit e komisionerëve, jo të përzgjedhurit e qytetarëve”, ka shkruar ai, duke lënë të nënkuptohet se procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik, me disa që e kanë cilësuar atë si një tentativë për të justifikuar dështimin e tij për të siguruar një mandat në Kuvend. Ndërsa të tjerët kanë kërkuar qartësi dhe hetim mbi këto pretendime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi këto akuza, por burime brenda institucionit kanë bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit ka qenë transparent dhe se nuk ka pasur shkelje që mund të ndikonin në rezultatin final të zgjedhjeve./Gazeta e Re

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi