Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, u njoftua nga Vatikani të hënën e Pashkëve. Të gjithë pyesin se çfarë ndodh pas vdekjes së Papës, dhe disa nga zakonet janë mjaft të pazakonta.
Protokolli vatikanas përfshin edhe disa praktika të çuditshme, ndër të cilat ndoshta më e veçanta është metoda e lashtë për të vërtetuar nëse Papa ka vdekur vërtet.
Deri në mesin e shekullit XX, kamarieri – kardinali që merret me punët e përditshme të Vatikanit deri në zgjedhjen e Papës së re – e konfirmonte tradicionalisht vdekjen e Papës. Kjo bëhej duke e goditur Papën tri herë lehtë në ballë me një çekiç të vogël prej argjendi dhe duke e thirrur me emrin e tij të lindjes. Nëse nuk kishte përgjigje, kjo konsiderohej si konfirmim i vdekjes.
I fundit që zbatoi këtë traditë ishte kardinali Tisserant në vitin 1958, kur e pyeti Papën Piu XII: “Eugenio, a je i vdekur?”, dhe më pas shpalli zyrtarisht: “Shpall që Shenjtëria e Tij, Papa, është me të vërtetë i vdekur.” Më pas kamarieri njofton zëvendësin e Romës, i cili ia përcjell lajmin popullit. Në të njëjtën kohë, njoftohet dekani i Kolegjit të Kardinalëve, i cili e transmeton informacionin ambasadorëve në Vatikan dhe krerëve të shteteve të huaja.
Kamarieri më pas mbyll dhe vulos dhomat papale. Dikur kjo bëhej për të parandaluar vjedhjet, ndërsa sot bëhet për të mbrojtur dokumentacionin privat. Unaza e Papës, e cila përdoret edhe si vulë zyrtare, shkatërrohet menjëherë pas vdekjes së Atit të Shenjtë për të parandaluar falsifikimin e saj. Menjëherë pas vdekjes së Papës, kamarieri e merr unazën dhe e shkatërron plotësisht me çekiç përpara të gjithë kardinalëve në Vatikan. Copat e unazës ruhen në muzeun e Vatikanit. Unaza papale mban imazhin e Shën Pjetrit peshkatar, dhe për çdo Papë prodhohet një unazë e re. Të gjitha unazat papale janë shkatërruar pas vdekjes së mbajtësve të tyre, ndërsa unaza e Benediktit XVI u shkatërrua në vitin 2013 pas dorëheqjes së tij.
Dera e djathtë prej bronzi – hyrja zyrtare në Vatikan – mbyllet. Tingujt e kambanave të Bazilikës së Shën Pjetrit njoftojnë se Papa ka vdekur. Pas identifikimit zyrtar të trupit të Papës, mjekët e veshin me petkun papal. Ndër to është jakorja e bardhë me kryqe të zinj (simbol i dinjitetit), dhe në kokë i vendosin mitrën e bardhë.
Pas përgatitjes, trupi i Papës qëndron për tre ditë në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’i dhënë mundësinë besimtarëve që t’i japin lamtumirën. Pa lejen e kamarierit, askush nuk lejohet të fotografojë Papën e ndjerë. Kamarieri mund të lejojë fotografimin për dokumentim, por vetëm pasi Papa është veshur me petkun e tij zyrtar.
Izolimi i kardinalëve, kufizimi i ushqimit
Periudha më e gjatë për zgjedhjen e Papës pas vdekjes së pararendësit zgjati pothuajse tre vjet. Kjo ndodhi pas vdekjes së Klementit IV në vitin 1268. Gjatë vetë konklavës vdiqën tre kardinalë, dhe një tjetër hoqi dorë. Arsyeja për vonesën ishte një përçarje e thellë në Kolegjiumin e Kardinalëve, që çoi në bllokadë. Kardinalët më në fund morën vendim në vitin 1271, duke zgjedhur Tedaldo Viscontin, i cili mori emrin Gjoni X.
Për të mos u përsëritur kjo situatë, u vendos rregulli i konklavës. Fjala “konklavë” vjen nga latinishtja që do të thotë “i mbyllur”. Kardinalët në të ardhmen do të mbylleshin në dhoma të kyçura derisa të merrnin vendim për Papën e ri. Më vonë, atyre madje iu kufizua edhe ushqimi ditor – thuhet se merrnin vetëm bukë dhe ujë.
Edhe sot, kardinalët izolohen në një vend të largët, pa kontakt me botën e jashtme. U konfiskohen telefonat, pajisjet celulare, televizorët dhe çdo pajisje tjetër elektronike. Nuk lejohet që të marrin letra apo gazeta, dhe dhomat e tyre kontrollohen nga shërbimet speciale për të siguruar që nuk ka pajisje përgjimi. Në konklavë marrin pjesë të gjithë kardinalët nën moshën 80 vjeç, dhe pasi të hyjnë në izolim, nuk mund ta lënë atë derisa të zgjidhet Papa i ri.