Zbulohen detaje nga raporti i tensionuar që kishte Salah me Klopp dhe Mane sa ishin pjesë e Liverpoolit

Një raportim i fundit ka zbuluar natyrën e marrëdhënieve që kishte Mohamed Salah me ish-trajnerin Jurgen Klopp dhe ish-partnerin e tij në sulm Sadio Mane.

Koha e Salahut tek Liverpooli është detajuar në një raport të gjatë nga Daily Mail, ku aty pretendohet se egjiptiani nuk kishte raporte të mira me Klopp dhe Manen.

Raportimi bën me dije se Klopp nuk e kishte kërkuar me ngulm transferimin e Salah tek Liverpooli pasi në vend të tij kishte preferuar gjermanin Julian Brandt.

Edhe pse ai shkëlqeu nën urdhrat e gjermanit, është bërë me dije se Klopp dhe Salah nuk ishin asnjëherë të afërt me njëri-tjetrin dhe kishte vetëm respekt mes dy palëve.

Eventualisht, tensionet mes Salah dhe Klopp u rritën pas një interviste të këtij të parit në vitin 2020, aty ku ai shprehu nervozizmin e tij për faktin se nuk ishte kapiten në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Më vonë, pasi Salah kishte vënë në pikëpyetje metodat e stërvitjes të Klopp pas humbjes ndaj Evertonit, ai kishte mbetur në bankën rezervë, ndërsa ishin parë duke argumentuar me tone të larta gjatë barazimit me West Hamin.

Një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe me Sadio Manen. Kur Salah u transferua tek Liverpooli, dyshja ishin të afërt, por me kalimin e kohës, Mane filloi të ndihej i nënvlerësuar për shkak të formës brilante të egjiptianit dhe kjo eventualisht ‘shpërtheu’ në fushë.

Në një incident të dokumentuar mirë ndaj Burnleyt, Salah tregohet egoist dhe tenton të shënojë personalisht, duke mos preferuar të pasojë tek Mane i cili ishte në një pozicion më të mirë.

I zemëruar nga ky veprim i tij, Mane e sulmoi verbalisht Salahun dhe më pas vendimi i Kloppit për ta zëvendësuar senegalezin pak çaste më vonë vetëm sa i rriti tensionet.

Ky raport i tensionuar mes dy sulmuesve afrikanë eventualisht kontribuoi në largimin e Manes nga Liverpooli në drejtim të Bayern Munich.

Kategoritë
Sport