Zbulohet identiteti i sulmuesit nga Suedia: Një i vetmuar me një plan vdekjeprurës ndryshoi emrin, ishte “i padukshëm” për vite me radhë

Suedia po përballet me tragjedinë më të madhe në historinë e saj pasi 35-vjeçari Rickard Andersson vrau dhjetë persona në një qendër arsimore për të rritur në Örebro, para se të vriste edhe veten.
Policia ende po heton motivet e këtij sulmi të tmerrshëm, ndërsa dëshmitarët dhe familjarët e përshkruajnë Anderssonin si një person të tërhequr dhe të izoluar shoqërisht, i cili kishte ndërprerë tërësisht kontaktet me rrethinën për shumë vite.

Policia kreu kontroll në apartamentin e Anderssonit menjëherë pas masakrës për të gjetur prova që mund të ndriçonin motivet e tij. “Ne po zhvillojmë një hetim intensiv për të krijuar një pasqyrë më të qartë të sulmuesit dhe për të parë nëse ka pasur ndonjë pjesëmarrës tjetër. Për sa i përket motiveve, më shumë informacione do të publikohen më vonë”, deklaroi Roberto Eid Forest, një zyrtar policie.

Megjithëse policia fillimisht pretendoi se sulmi nuk kishte prapavijë ideologjike, më pas e rishikoi këtë deklaratë, duke mos përjashtuar asnjë mundësi. Aktualisht, policia po kontrollon kompjuterin dhe telefonat e tij për të zbuluar nëse ai kishte lidhje me ndonjë ideologji ekstremiste ose nëse sulmi ishte rezultat i problemeve personale dhe izolimit.

Prindër suedezë, ndryshimi i identitetit dhe izolimi

Sipas gazetës suedeze Expressen, Andersson ka lindur në Suedi në një familje suedeze me emrin Jonas Simon, por në vitin 2017 e ndryshoi emrin në Rickard Andersson, duke argumentuar se kishte marrë mbiemrin që mbante babai i tij para martesës.

E kaluara e tij tregon një tërheqje të gjatë nga jeta sociale dhe vështirësi në shoqërizim. “Ishte jashtëzakonisht i çuditshëm”, tha një ish-shok shkolle i tij. “Për vite me radhë ai mbante kapuç, fshihte fytyrën dhe rrallë komunikonte me të tjerët. Kur mendoja për të më vonë, kuptoja se ndoshta vuante nga fobia e rëndë sociale.”

Familja konfirmon se Andersson ishte shumë i tërhequr dhe se vitet e fundit kishte ndërprerë pothuajse të gjitha kontaktet me njerëzit. “Nuk kishte miq dhe, sa di unë, nuk kishte kurrë një partner”, tha një anëtar i familjes së tij të gjerë.

Një kushëri i tij kujtoi takimin e fundit me të në ditëlindjen e tij të 35-të. “Ishte i heshtur dhe i tërhequr. Hëngri ushqimin në qetësi, pastaj mori një filxhan kafe dhe shkoi të ulej vetëm”, tregoi ai.

Viktimë e dhunës në fëmijëri

Të njohurit e tij nga fëmijëria thonë se ai ishte viktimë e dhunës nga bashkëmoshatarët, gjë që mund të ketë ndikuar në izolimin e tij të mëvonshëm. “Kjo e goditi shumë. Ishte gjithmonë i vetmuar dhe asnjëherë nuk u bë pjesë e shoqërisë”, tha një anëtar i familjes.

Shkollimi i tij ishte gjithashtu problematik. Ai përfundoi shkollën fillore pa asnjë notë kaluese dhe mezi e përfundoi shkollën e mesme. Ndjeki një program individual dhe arriti të merrte nota të mira në lëndë si estetika, historia dhe psikologjia, por dështoi në shtatë lëndë të tjera, përfshirë shkencat natyrore dhe fenë. Në shumë fotografi të shkollës ai mungon, ndërsa në ato ku është i pranishëm, shpesh e kthen fytyrën nga kamera.

Andersson u rrit në një familje të klasës së mesme në Suedi, por problemet e tij me socializimin ishin të dukshme që në moshë të re. Pas përfundimit të shkollës, ai jetoi një jetë të vetmuar. Nuk ka punuar kurrë në institucione shtetërore apo komunale, nuk ka shërbyer në ushtri dhe jetonte i vetëm në një apartament në Örebro. Për vite me radhë, kishte të ardhura të ulëta ose aspak, përveç vitit 2017, kur raportoi disa të ardhura kapitale, ndoshta nga interesa ose dividentë.

Tragjedia që tronditi Suedinë

Një anëtar i familjes së tij thekson se Andersson kishte pak interesa në jetë. “I pëlqente hokeji dhe vozitja e makinave, por kryesisht rrinte natën dhe shikonte televizor.” Ai u përpoq të punonte si shofer kamioni, por nuk arriti të gjente një punë.

Shkolla që ai sulmoi është Campus Risbergska, e cila ofron kurse arsimi fillor dhe të mesëm për të rritur mbi 20 vjeç, kurse të gjuhës suedeze për emigrantët, trajnime profesionale dhe programe për persona me aftësi të kufizuara intelektuale. Ajo ndodhet në periferi të Örebros, rreth 200 kilometra në perëndim të Stokholmit.

Familja e tij kishte vënë re përkeqësimin e gjendjes së tij mendore vitet e fundit. “Nuk i pëlqenin mbledhjet familjare. E irritonin ato. Për Krishtlindje nuk ishte me prindërit. Nuk ishte mirë psikologjikisht”, tha një anëtar i familjes së gjerë.

Ky është sulmi më vdekjeprurës i këtij lloji në historinë e Suedisë dhe vendi është ende në shok. Policia vazhdon hetimet, ndërsa publiku pyet se si është e mundur që një person me probleme kaq të theksuara të ketë kaluar pa u vënë re nga institucionet.

Kategoritë
BotaLajme