Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, gjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë drejt ndërtesës së Kapitolit, ku dha betimin, udhëtoi me makinë së bashku me paraardhësin e tij, Joe Biden, dhe tani është zbuluar për çfarë kanë biseduar.
Me ta në makinë ishte edhe senatorja nga shteti federal i Minnesotës, Amy Klobuchar, e cila është kryetare e Komitetit të Përbashkët për Organizimin e Inaugurimeve të Kongresit të SHBA-së.
Në një deklaratë për MSNBC, Klobuchar tha se temat ishin të shumta, por edhe se “nëse i zbulon të gjitha detajet, nuk do të ftohet më”.
“Ata më së shumti folën për zjarret në Los Anxhelos dhe për Lojërat Olimpike që do të mbahen atje. Diskutuam edhe për futbollin amerikan, pasi tani është faza e play-off-it,” tha Klobuchar.
Ajo shtoi se e gjithë biseda ishte shumë “e sjellshme” dhe shprehu shpresën që ata të zhvillojnë një marrëdhënie pozitive pas një periudhe të gjatë të luftës politike.
“Mendoj se Biden e meriton këtë dhe besoj se mund të vlerësojmë ditën që kaluam me familjen Trump,” shtoi senatorja nga Minnesota, duke theksuar se “interesi i përbashkët, pavarësisht dallimeve”, është më i rëndësishmi për SHBA-në.