Drejtoria Shtetërore e Imigracionit të Zelandës së Re ka filluar të kërkojë nga izraelitët që aplikojnë për vizë të japin informacion mbi shërbimin e tyre ushtarak si kusht për hyrje në vend. Sipas raportimit të Times of Israel, të paktën një personi i është refuzuar hyrja pas dhënies së këtij informacioni.
Nga izraelitët në moshë për shërbim rezervist, që kanë aplikuar për viza turistike për Zelandën e Re, është kërkuar të raportojnë nëse kanë shërbyer në Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe nëse janë rezervistë aktivë. Ata që kanë konfirmuar shërbimin ushtarak janë detyruar të plotësojnë pyetësorë të detajuar mbi këtë shërbim.
Në pyetësorin e parë, aplikantëve u është kërkuar të japin informacion mbi datat e shërbimit ushtarak, vendndodhjen e bazave të tyre, njësitë dhe trupat ku kanë shërbyer, kampet ushtarake ku kanë qenë të stacionuar, gradën ushtarake, detajet e roleve të tyre dhe numrin e kartës së shërbimit ushtarak.
Në pyetësorin e dytë janë parashtruar pyetje të tilla si: “A keni qenë të lidhur me ndonjë shërbim inteligjence ose agjenci zbatimi të ligjit?”; “A keni qenë të lidhur me ndonjë grup ose organizatë që ka përdorur ose promovuar dhunë apo shkelje të të drejtave të njeriut për të arritur qëllimet e saj?”; dhe “A keni kryer ose qenë të përfshirë në krime lufte, krime kundër njerëzimit ose shkelje të të drejtave të njeriut?”.
Plotësimi i pyetësorëve nuk përjashton ata që për arsye sigurie nuk mund të zbulojnë detaje të shërbimit të tyre ushtarak. Si rezultat, ata që nuk mund ta përfundojnë këtë procedurë nuk mund të marrin vizë.
Të paktën një ushtari që kishte shërbyer në Gaza gjatë luftës kundër Hamasit i është refuzuar hyrja në Zelandën e Re. Ai deklaroi se kjo ishte një pasojë direkte e përgjigjeve që dha në pyetësor, megjithëse ai theksoi se nuk kishte qenë i përfshirë në krime lufte në Gaza.
Australi ka një politikë të ngjashme dhe si rezultat, të paktën dy izraelitëve u është refuzuar hyrja në vend.
Drejtoria e Imigracionit e Zelandës së Re (INZ), e pyetur për koment, nuk e mohoi raportin, por deklaroi se pjesëmarrja në luftën aktuale nuk e përjashton automatikisht një izraelit nga hyrja në vend.