Zelenski pas bisedës mes Trumpit dhe Putinit: “Le ta përfundojmë këtë”

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, njoftoi se ka pasur një bisedë “të rëndësishme” me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Sipas fjalëve të Zelenskit, biseda ishte e përqendruar në mundësitë për arritjen e paqes, bashkëpunimin në nivele të ndryshme dhe kapacitetet teknologjike të Ukrainës, duke përfshirë industritë e avancuara si prodhimi i dronëve.

“Jam mirënjohës presidentit Trump për interesimin e tij në atë që mund të arrijmë së bashku. Diskutuam gjithashtu për bisedën time me ministrin e financave të SHBA-së, Scott Bessent, dhe përgatitjen e një dokumenti të ri që lidhet me sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe partneritetin në burime,” theksoi Zelenski.

Gjatë bisedës, presidenti Trump ndau gjithashtu detaje nga biseda e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Askujt nuk i intereson paqja më shumë se Ukrainës. Së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përcaktojmë hapat e ardhshëm për të ndaluar agresionin rus dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe të besueshme. Siç tha presidenti Trump: ‘Le ta përfundojmë këtë’,” theksoi Zelenski.

Presidentët ranë dakord të mbajnë kontakte të mëtejshme dhe të planifikojnë takimet e ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme