Zelensky befasoi të gjithë: Jam i gatshëm të jap dorëheqjen nëse kjo sjell paqe ose anëtarësim në NATO

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbajti një fjalim me rastin e përvjetorit të tretë të pushtimit rus, duke përmbyllur forumin “Ukraina: Viti 2025” në Kiev. Ai theksoi se prioriteti i tij është siguria aktuale e Ukrainës, dhe jo planet për 20 vitet e ardhshme.

Zelensky përsëriti dëshirën për garanci të forta sigurie që do të forconin pozitat e Ukrainës gjatë negociatave për paqe. Ai nënvizoi se anëtarësimi në NATO është “opcija më e lirë” për sigurinë e vendit dhe se kjo mundësi mbetet ende e hapur, pavarësisht pretendimeve të Rusisë se hyrja e Ukrainës në aleancë do të përbënte një “kërcënim të drejtpërdrejtë” për Rusinë.

Duke folur për ndihmën ndërkombëtare, presidenti sqaroi se Ukraina ka marrë 100 miliardë dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe jo 350 miliardë, siç është raportuar në disa raste. Ai shprehu dëshirën që ish-presidenti amerikan Donald Trump të mbështesë Ukrainën dhe të ndihmojë në përfundimin sa më të shpejtë të luftës.

Zelensky gjithashtu theksoi se nuk planifikon të qëndrojë gjatë në pushtet dhe se negociatat aktuale po zhvillohen sipas kushteve të Ukrainës.

“Ky nuk është një tryezë negociatash ku Ukraina është e ftuar. Kjo është tryeza jonë, dhe ne vendosim se kush ftohet,” deklaroi Zelensky.

Ai propozoi që pjesëmarrës në negociata të jenë Ukraina, Evropa, SHBA-ja dhe Rusia. Për më tepër, Zelensky shprehu gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen nëse kjo do të sillte paqe ose anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Jam i gatshëm të jap dorëheqjen nga posti i presidentit për hir të paqes ose për hyrjen e Ukrainës në NATO,” tha Zelensky.

Ai gjithashtu njoftoi për një samit të rëndësishëm që do të mbahet nesër, i cili mund të shënojë një moment kyç në situatën aktuale. Në këtë samit do të marrin pjesë 13 partnerë në mënyrë fizike dhe 24 të tjerë nëpërmjet lidhjes online.

Këto deklarata vijnë në një moment kur Ukraina po përballet me sulme intensive, duke përfshirë sulmin më të madh me dronë nga Rusia deri më tani, ku ushtria ukrainase ka rrëzuar 138 nga 267 dronët e lëshuar.

Ndërkohë, liderët evropianë, veçanërisht nga Britania dhe Franca, po punojnë për një plan që parashikon dislokimin e deri në 30.000 trupave paqeruajtëse në Ukrainë në rast të një armëpushimi, me mbështetjen e SHBA-së si garantuese e sigurisë.

Kategoritë
BotaLajme