Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një takim në Ankara me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe gjatë konferencës për shtyp foli edhe për temën më të rëndësishme që lidhet me takimin midis Rusisë dhe SHBA-së në Arabinë Saudite.
Pas takimit me Erdoğan-in, Zelensky tha se Ukraina dëshiron paqe, por jo me çdo kusht.
“Ne duam paqe, por duam që ajo të ndodhë në kushte të drejta. Mund të negociohet me çdo vend, por nuk është e mundur të flitet për përfundimin e luftës në Ukrainë pa përfshirjen e Ukrainës,” tha Zelensky.
Ai theksoi se Ukraina dhe vende të tjera duhet të jenë pjesë e negociatave.
“Ukraina duhet të përfshihet në çdo lloj negociatash. Ukraina, Evropa në kuptimin më të gjerë – që përfshin Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – duhet të jenë pjesë e bisedimeve dhe e zhvillimit të garancive të nevojshme të sigurisë me Amerikën,” tha ai.
Zelensky u shpreh se dëshiron që gjithçka të jetë e drejtë.
“Ne duam që gjithçka të jetë e ndershme dhe që askush të mos marrë vendime pas shpinës sonë. Nuk ishim të ftuar në atë takim në Arabinë Saudite. Sado e vështirë të jetë për ne, Ukraina nuk do t’i njohë ligjërisht territoret e pushtuara nga Rusia. Lindja është e jona, Krimea është e jona, dhe të gjitha qytetet dhe fshatrat e tjera që kanë rëndësi për ne,” sqaroi presidenti ukrainas.
Ai foli edhe për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Ne e dimë që Amerika dhe disa partnerë evropianë nuk e mbështesin anëtarësimin tonë në NATO. Mendoj se kjo është një dëshirë e madhe e Rusisë, dhe për fat të keq, ky rezultat përputhet me atë që ata duan,” përfundoi Zelensky.