Zelensky në Islandë për bisedime rreth “Planit të Fitores”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Islandë të hënën, për të marrë pjesë në një samit me liderët e vendeve nordike.

Zelensky shkroi në Telegram të hënën se në Islandë do të marrë pjesë në samtin e katërt mes Ukrainës dhe Evropës Veriore, si dhe do të mbajnë takime me kryeministrat e Islandës, Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës dhe Suedisë.

Ai gjithashtu synon të takohet me presidentin dhe përfaqësuesit e Parlamentit të Islandës.

“Bisedimet do t’i përqendrojmë në mbështetjen për Planin e Fitores dhe fushat ku bashkëpunimi ynë mund të prodhojë rezultate maksimale: financimi i prodhimit të armëve ukrainase dhe armëve me rreze të gjatë veprimi; përgatitjet për dimër; sigurinë detare; masat ndaj flotës ruse, si dhe përkrahje për mbrojtjes e Ukrainës dhe për stërvitje dhe pajisje për ushtarët ukrainas”, tha Zelensky.

Parlamenti i Islandës në prill miratoi një rezolutë për mbështetjen e Ukrainës deri në vitin 2028, përfshirë pavarësinë, sovranitetin e Ukrainës, si dhe sigurinë e popullatës civile, ndihmën humanitare dhe rindërtimin.

Islanda gjithashtu ndau gati 2 milionë euro për një nismë çeke për të blerë predha artilerie për Ukrainën.

Në fillim të këtij muaji, Zelensky e shpalosi para liderëve perëndimorë “Planin e Fitores” së Kievit, përmes të cilit shpreson se do ta detyrojë Rusinë t’i japë fund pushtimit të Ukrainës përmes bisedimeve.

Ky plan është duke u shqyrtuar nga partnerët perëndimorë të Ukrainës, mbështetja nga të cilët ka qenë jetike për përpjekjet e Kievit për t’i bërë ballë fqinjit të vet të madh.

Një pikë kyçe në plan është kërkesa për ftesë formale për Ukrainën për t’u bërë anëtare e NATO-s, të cilën mbështetësit perëndimorë kanë ngurruar ta shqyrtojnë pa përfunduar lufta.

Kategoritë
BotaLajme