Zelensky: Ukraina do të nisë kundërofensivën së shpejti, më pas pret avionët nga Perëndimi

Presidenti Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se Ukraina do të nisë së shpejti kundërofensivën dhe se ai është i sigurt se Perëndimi do të furnizonte Kievin me avionë luftarakë modernë më pas.

Duke folur në një konferencë shtypi në Finlandë, e cila së fundmi u bë anëtare e NATO-s, Zelensky tha se një nga arsyet që ai kishte shkuar në Helsinki ishte se Ukraina dëshironte të bëhej anëtare me të drejta të plota e aleancës ushtarake.

residenti ukrainas përmendi shembuj të mëparshëm të sukseseve në fushën e betejës që u pasuan nga lloje të reja të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

“Kjo është arsyeja pse unë jam i sigurt se së shpejti do të kemi avionë. Sepse së shpejti do të kryejmë një ofensivë dhe pas saj jam i sigurt që do të na jepen avionë. Do të preferoja të ishte anasjelltas, pasi kjo do të ishte më e lehtë për ne, por gjithsesi ne jemi mirënjohës për gjithçka”, tha presidenti ukrainas.

Ne kemi nevojë për avionët luftarakë. Me të vërtetë kemi nevojë për avionët e Perëndimit”, tha presidenti Zelensky.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto tha se Finlanda nuk mund të ofronte avionët e saj luftarakë “Hornets”, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, sepse ata janë të vjetër dhe pak vende të tjera në Evropë kanë modele të ngjashme avionësh, kështu që nuk do të kishte kuptim të krijohej një proces i ri i mirëmbajtjes së tyre.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Finlandë të mërkurën për bisedime me udhëheqësit e vendeve nordike mbi mbështetjen për luftën e vendit të tij ndaj Rusisë dhe për marrëdhëniet e saj me Evropën, thanë qeveritë e rajonit.

Qindra njerëz u mblodhën në qendër të Helsinkit për të parë zotin Zelensky, duke brohoritur në mbështetje të tij ndërsa ai u shfaq para pallatit presidencial.

Në takimin më të gjerë rajonal në Helsinki morën pjesë presidenti finlandez Niinisto si dhe kryeministrat e Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës. Në takim u diskutua mbi ndihmën ushtarake të vendeve nordike për Ukrainën në përballjen e saj me agresionin rus, dhe përpjekjen e Kievit për integrim në BE dhe NATO.

Vizita e presidentit ukrainas në Finlandë, një nga udhëtimet e pakta që ai ka bërë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë vitin e kaluar, u njoftua vetëm pas mbërritjes së tij mes masave të forta të sigurisë në kryeqytetin finlandez.

Finlanda së fundmi u anëtarësua në NATO, duke u bërë anëtarja e saj e 31-të, në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës. Finlanda ndan një kufi të gjatë me Rusinë.

Kremlini tha më 4 prill se pranimi i Finlandës në NATO ishte një gabim i rrezikshëm historik që do të dobësonte sigurinë në rajon dhe do ta detyronte Moskën të merrte masa kundër këtij veprimi.

Duke i bërë jehonë këtij këndvështrimi, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha në një konferencë shtypi të mërkurën se “Ndërsa vëzhgojmë planet e NATO-s për Finlandën, ne konfirmojmë se Rusia do të detyrohet të hakmerret, si ushtarakisht ashtu edhe në mënyrë të tjera, për të frenuar kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare.”

Kategoritë
BotaLajme