Zelensky: Ukraina po lufton në kushte të pabarabarta

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka folur të enjten në Samitin e NATO-s, përmes video-lidhjes.

Zelensky ka thënë se ka kërkuar ndihmë ajrore “për të mbrojtur qiellin tonë” nga fillimi i luftës, pasi Ukraina nuk ka pajisje të fuqishme për mbrojtje.

Ai ka thënë se Rusia është duke përdorur armë të shkatërrimit në masë dhe pasojat shihen qartë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Ne jemi në situatë jo të barabartë për një muaj”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për mbështetje ushtarake pa kufizime, në mënyrë që të ruhet populli dhe qytetet ukrainase.

Ai ka thënë se Rusia është duke përdorur gjithë arsenalin e saj – duke shënjestruar qyteza, spitale dhe ura.

Deri më tani Ukraina nuk ka pranuar asnjë aeroplan, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se ka kërkuar edhe tanke, mirëpo ende nuk është bërë e ditur përgjigja e vendeve të NATO-s.

“Ukraina nuk dëshiron të zhvillojë luftëra për vite e vite me radhë”, ka thënë ai.

“Ne vetëm duam të mbijetojmë, të ruajmë njerëzit tanë”.

Mirëpo ai ka thënë se nuk fajëson NATO-n, pasi raketat e tyre nuk janë duke shkatërruar qytetet.

Aleanca mund të ndihmojë për të shmangur vdekjet, duke i ofruar Ukrainës më shumë municion, ka thënë Zelensky.

Është çështje e jetës dhe vdekjes, ka thënë mes tjerash ai.

Kategoritë
BotaLajme