Zelensky uron Von der Leyen: Të sigurt se me këtë Komision Ukraina do të jetë në BE

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka uruar presidenten e rizgjedhur të Komisionit Europian Ursula Von der Leyen. Në një postim në X, presidenti ukrainas u shpreh i sigurt se nën udhëheqjen e këtij Komisioni Evropian Ukraina do të jetë në BE. Sipas tij ky është një qëllim strategjik i vendit.

“Urimet e mia të sinqerta për Von der Leyen për miratimin e kolegjit të ri të komisionerëve. Ne jemi të sigurt se nën udhëheqjen e këtij Komisioni Evropian, Ukraina do të arrijë qëllimin e saj përfundimtar strategjik: anëtarësimin në BE”.

Zelensky shpreson se komisioni i ri “do të jetë në gjendje të forcojë një Evropë të bashkuar dhe të rrisë rolin e BE-së si një udhëheqës global”.

“Ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë produktiv për çështjet kyçe të agjendës strategjike Ukrainë-BE”, theksoi më tej presidenti ukrainas.

Parlamenti Evropian votoi sot për përbërjen e re të Komisionit Evropian, të propozuar nga presidentja aktuale dhe e zgjedhur e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe miratuar në shtator nga Këshilli i BE-së. Pro ishin 370 deputetë, kundër 282 dhe 36 abstenim.

Kategoritë
BotaLajme