Zelenskyy: Edhe këtë javë detyra jonë kyçe është energjia

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se riparimet e infrastrukturës së energjisë të dëmtuara nga sulmet ruse në vendin e tij janë një prej detyrave më të rëndësishme këtë javë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se riparimet e infrastrukturës së energjisë të dëmtuara nga sulmet ruse në vendin e tij janë një prej detyrave më të rëndësishme këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zelenskyy iu drejtua popullit përmes një mesazhi me pamje që postoi në orët e natës nga llogaria e tij në Telegram.

“Si pasojë e sulmeve me raketa që forcat ruse kanë kryer më 23 nëntor ndaj infrastrukturave kritike të energjisë në rajone të ndryshme të Ukrainës, kanë mbetur pa energji 12 milionë abonentë”, tha Zelenskyy duke shtuar se si rezultat i punimeve të riparimit është ofruar sërish shërbimi i energjisë elektrike për rreth 6 milionë abonentë.

Ai theksoi se ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë në rajonet Kiev, Odessa, Dnipro, Vinnytsia dhe Lviv dhe se po përpiqen t’i zgjidhin problemet në kohën më të shpejtë.

Pasi bëri të ditur se vazhdojnë punimet riparuese për infrastrukturën e energjisë elektrike ndaj të cilave ushtria ruse ka kryer sulme intensive, Zelenskyy tha se “Ashtu si në ditët e tjera, edhe këtë javë detyra jonë kyçe është energjia”.

– Kritika Bashkisë së Kievit

Zelenskyy rikujtoi se mijëra “Pika të pathyeshmërisë” janë krijuar në të gjithë vendin ndaj problemeve të tilla si lidhja elektrike, ujit, telefonit dhe internetit. Sipas tij, banorët e Kievit kanë ankesa për funksionimin e disa qendrave në fjalë.

“Në qytet (Kiev) janë 600 mijë abonentë të cilëve u është ndërprerë energjia elektrike. Shumë banorë të Kievit kanë mbetur pa energji elektrike për 20 madje mbi 30 orë. Unë nga Bashkia pres punime cilësore. Askush nuk do të falë askënd për mosrespektimin e ‘pikave të pathyeshmërisë’ në Kiev. Ju lutem të jeni më seriozë”, deklaroi Zelenskyy.

Presidenti ukrainas ftoi popullin që të përdorë me kursim energjinë elektrike.

Kategoritë
BotaLajme