Zelenskyy falënderon homologun turk Erdoğan për “pjesëmarrjen aktive në ruajtjen” e marrëveshjes së drithit

Erdoğan theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së drithit të Detit të Zi dhe nënvizoi se eksporti i drithit, si ukrainas, ashtu edhe ai rus, është vendimtar për botën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për “pjesëmarrjen e tij aktive në ruajtjen” e marrëveshjes së korridorit të drithit të Detit të Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një telefonatë me presidentin Erdoğan, Zelenskyy falënderoi gjithashtu presidentin turk për “mbështetjen e palëkundur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, ndërsa të dy liderët diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në luftën Rusi-Ukrainë.

Drejtoria e Komunikimeve e presidencës turke tha në një deklaratë se Erdoğan theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së drithit të Detit të Zi dhe nënvizoi se eksporti i drithit, si ukrainas, ashtu edhe ai rus, është vendimtar për botën.

Ekziston nevoja për të rritur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në bazë të rivendosjes së plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, i ka thënë ai Zelenskyy-t.

Erdoğan ka shprehur gjithashtu kënaqësinë e tij që çështja e eksportit të drithit zgjidhet përmes bashkëpunimit.

Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.

Të shtunën, Rusia njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së saj në marrëveshje për shkak të asaj që pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit.

Më herët të mërkurën, Türkiye dhe Rusia njoftuan kthimin e Moskës në zbatimin e marrëveshjes së drithit pas ndërmjetësimit të Ankarasë dhe OKB-së.

Kategoritë
BotaLajme