Zelenskyy kërkon nga Izraeli të vendosë sanskione ndaj Rusisë

Volodomyr Zelenskyy realizoi bisedën e parë telefonike me Yair Lapid-in që kur ky i fundit u bë kryeministër i Izraelit këtë korrik

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i kërkoi Izraelit t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në Twitter pas një telefonate me kryeministrin izraelit Yair Lapid, Zelenskyy tha se ai llogarit në “bashkimin e Izraelit me sanksionet ndaj Rusisë dhe ofrimin e ndihmës praktike për Ukrainën në luftën kundër agresionit të Federatës Ruse”.

Kjo ishte biseda e tyre e parë që kur Lapid u bë kryeministër i Izraelit këtë korrik.

Izraeli deri më tani është përmbajtur nga vendosja e sanksioneve ndaj Moskës.

Zyra e Lapid-it tha se ata diskutuan situatën e fundit në Ukrainë dhe se kryeministri izraelit “shprehu ngushëllimet e tij për të vrarët dhe të plagosurit në luftë dhe bëri thirrje për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftimeve”.

Lapid këshilloi gjithashtu qytetarët izraelitë që të mos bëjnë pelegrinazhin vjetor hebre në Uman, një qytet në Ukrainën qendrore, duke përmendur “rrezikun kërcënues për jetën”.

Në një postim në Twitter, Lapid tha se ai uroi Zelenskyy-n “me rastin Ditës së Pavarësisë së Ukrainës javën e kaluar”.

“Izraeli dhe Ukraina ndajnë lidhje të gjata. Shpresojmë të shohim fundin e luftës së shpejti dhe që ukrainasit të jetojnë në paqe dhe prosperitet”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme