“Të bësh një marrëveshje pa ne ose pa Evropën, nuk është një ide e mirë, dhe shpresoj që presidenti Donald Trump të mos e ketë këtë ide”, tha Zelenksyy
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi kundër çdo marrëveshjeje paqeje pa përfshirjen e Kievit, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ra dakord me homologun rus Vladimir Putin për të nisur “menjëherë” negociatat që synojnë t’i japin fund luftës trevjeçare në Ukrainë, raporton Anadolu.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Zelenskyy hodhi poshtë idenë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje në këtë mbledhje.
“Një marrëveshje paqeje nuk mund të nënshkruhet në Mynih, ne kujtojmë atë që u nënshkrua këtu më parë”, tha ai, duke iu referuar Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938, e cila nuk arriti të pengonte Hitlerin dhe nuk parandaloi Luftën e Dytë Botërore.
Ai bëri thirrje kundër përpjekjeve për të negociuar fundin e luftës pa pjesëmarrjen e Ukrainës. “Të bësh një marrëveshje pa ne ose pa Evropën, nuk është një ide e mirë, dhe shpresoj që presidenti Donald Trump të mos e ketë këtë ide”, tha Zelenksyy.
Lideri ukrainas shprehu gjithashtu zhgënjim për dështimin e NATO-s për të pranuar Ukrainën në aleancë, pavarësisht diskutimeve prej vitesh.
“SHBA nuk na panë kurrë në NATO; ata thjesht folën për këtë. Ata me të vërtetë nuk na donin në NATO. Nuk kam dëgjuar kurrë se do të jemi në NATO, kurrë!” tha ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth u tha homologëve të tij evropianë në Bruksel të mërkurën se administrata Trump e konsideron kthimin në kufijtë e Ukrainës para 2014 “një objektiv jorealist”. Ai përjashtoi gjithashtu anëtarësimin në NATO të Ukrainës.
Lideri ukrainas theksoi fuqinë ushtarake të Kievit, duke argumentuar se vendi i tij tashmë luan një rol vendimtar në sigurinë evropiane.
“Ukraina nuk është në NATO, por ne kemi një ushtri të fortë. Ne mund ta forcojmë NATO-n kudo dhe mendoj se kjo është në interesat e të dyja palëve”, tha ai.
Zelenskyy theksoi gjithashtu nevojën për një zgjerim të rëndësishëm ushtarak nëse Ukraina mbetet jashtë aleancës. “Nëse nuk anëtarësohemi në NATO, atëherë duhet të dyfishojmë përmasat e ushtrisë sonë. Ne kemi nevojë për një ushtri prej 1,5 milionë trupash nëse nuk jemi në NATO, kjo është e vetmja garanci e vërtetë e sigurisë”, shtoi ai.