Zelenskyy: Po punoj që luftën ta përfundoj këtë vit në mënyrë dinjitoze për Ukrainën

“Unë po bëj gjithçka që mundem për t’i dhënë fund kësaj lufte këtë vit me dinjitet për Ukrainën dhe gjithë Evropën”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se do të bëjë çmos që lufta Rusi-Ukrainë të përfundojë në vitin 2025 në mënyrë dinjitoze për vendin e tij dhe gjithë Evropën, transmeton Anadolu.

Zelenskyy foli në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën të mbajtur në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.

Në fjalimin e tij, Zelenskyy tërhoqi vëmendjen te lufta Rusi-Ukrainë dhe tha se “Unë po bëj gjithçka që mundem për t’i dhënë fund kësaj lufte këtë vit me dinjitet për Ukrainën dhe gjithë Evropën”.

Duke thënë se kanë nevojë për ndihmën e vendeve partnere në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, Zelenskyy u shpreh: “Të gjithë nuk duhet të harrojmë se përfundimi i luftës është qëllimi ynë i përbashkët. Është qëllimi ynë, jo i Rusisë”.

Zelenskyy pretendon se përfshirja e ushtarëve të Koresë së Veriut në luftë nga Rusia e ka vënë administratën e Moskës në një “situatë të vështirë” dhe më tej vuri në dukje se në konflikt deri më sot kanë vdekur rreth 4.000 ushtarë të Koresë së Veriut.

Ai tha se Koreja e Veriut e cila dërgoi ushtarët e saj në luftën Rusi-Ukrainë, u përpoq të fitonte përvojën e një lufte moderne me metoda “të lehta”. Rusia e rriti buxhetin e saj të mbrojtjes me 25 për qind në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar njoftoi presidenti ukrainas, i cili u kërkoi aleatëve të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë.

Pasi kërkoi më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore nga partnerët për të parandaluar sulmet me raketa ruse në vendin e tij, Zelenskyy theksoi se aleatët duhet të mbështesin gjithashtu Ukrainën në prodhimin e dronëve (UAV).

Ai iu referua ofensivës së ushtrisë ukrainase kundër rajonit të Kurskut të Rusisë vitin e kaluar, dhe tha më tej se “Operacioni i Kurskut është një nga fitoret tona. Për mendimin tim është një nga fitoret më të mëdha, jo vetëm i vitit të kaluar, por edhe gjatë luftës”.

Zelenskyy potencoi se ushtria ruse u detyrua të tërhiqte 60 mijë ushtarë nga fronti ukrainas për t’iu përgjigjur sulmeve ukrainase në rajonin e Kurskut.

Duke komentuar deklaratat e mëparshme të presidentit francez Emmanuel Macron për dërgimin e trupave të huaja në Ukrainë, Zelenskyy tha se ai beson se vendosja e “forcave të tilla të përbashkëta” në vendin e tij është një nga mjetet më të mira.

Kategoritë
BotaLajme