Zelenskyy: Rusia sulmoi me raketë anijen e mallrave me grurë në Detin e Zi

Presidenti ukrainas, Zelenskyy pretendon se Rusia ka kryer sulm me raketë ndaj anijes së mallrave të ngarkuar me grurë në Detin e Zi e cila po shkonte drejt Egjiptit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy pretendon se Rusia ka kryer sulm me raketë ndaj anijes së mallrave të ngarkuar me grurë në Detin e Zi e cila po shkonte drejt Egjiptit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga llogaria e medias sociale, Zelenskyy tha se Rusia ka sulmuar një anije civile në Detin e Zi. “Një raketë ruse goditi ngarkesën me grurë e cila po shkonte në Egjipt. Në sulmin e kryer sot në Detin e Zi u shënjestrua një anije civile e zakonshme menjëherë pasi ajo u largua nga ujërat territoriale të Ukrainës. Sipas të dhënave paraprake nuk pati humbje civile”, tha ai.

Duke tërhequr vëmendjen se Ukraina është një nga vendet që kontribuon në sigurinë ushqimore në nivel global, Zelenskyy tha: “Stabiliteti i brendshëm dhe mjetet e jetesës së dhjetëra vendeve në botë varen nga funksionimi normal dhe pa probleme i korridoreve të eksportit të ushqimit”.

Ai tha se do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur portet e tyre, Detin e Zi dhe furnizimin me ushqime në tregun global.

“Mbrojtja e jetëve është prioritet i vërtetë për Ukrainën dhe duhet të jetë prioritet për çdo vend. Ne presim reagimin e botës. Gruri dhe siguria ushqimore nuk duhet të jenë kurrë objektivi i raketave”, shtoi Zelenskyy.

Presidenti ukrainas edhe në një postim tjetër njoftoi se sot Rusia në rajonin e Donetskut ka kryer sulm ndaj automjeteve të misionit humanitar të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe se në sulm humbën jetën 3 persona.

Kategoritë
BotaLajme