“Unë nuk mendoj se SHBA-ja ka një plan të gatshëm për t’i dhënë fund luftës”, u tha Zelenskyy gazetarëve në Mynih para bisedimeve të tij të planifikuara me zv/presidentin amerikan
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se SHBA-ja nuk ka një plan të qartë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar nevojën për mbështetje më të fortë ushtarake dhe veprim vendimtar nga Perëndimi kundër Rusisë, transmeton Anadolu.
“Unë nuk mendoj se SHBA-ja ka një plan të gatshëm për t’i dhënë fund luftës”, u tha Zelenskyy gazetarëve në Mynih para bisedimeve të tij të planifikuara me zv/presidentin amerikan JD Vance për situatën në Ukrainë.
Presidenti ukrainas përsëriti se nëse Ukraina nuk pranohet në NATO, vendi duhet të zgjerojë ushtrinë e tij në 1.5 milionë ushtarë të pajisur me armatime moderne për të garantuar sigurinë kombëtare.
Ai njoftoi vizitat e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Türkiye, por tha se nuk do të takohet me zyrtarë rusë apo amerikanë gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite.
Duke komentuar lëvizjet ushtarake të Rusisë, Zelenskyy tha se Moska po përgatit 15 divizione për vendosje në drejtimin e Bjellorusisë. Ai shtoi se objektivi i tyre i synuar mbetet i pasigurt.
“Nuk jam i sigurt se ato divizione do të shkojnë në ofensivë kundër Ukrainës. Mund të jetë Polonia, mund të jenë vendet baltike”, paralajmëroi ai.
Zelenskyy kërkoi nga Perëndimi të marrë një qëndrim më të fortë kundër Rusisë, duke paralajmëruar se nëse Ukraina dhe SHBA-ja nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje konkrete për t’i bërë presion presidentit rus Vladimir Putin, liderët perëndimorë mund të duhet “të ndërrojnë kostumet e tyre në uniforma ushtarake”.