Zelenskyy viziton qytetin Kherson pas shpërthimit të digës Kakhovka

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy falënderon ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët që punojnë në zonat e përmbytura pas shpërthimit të digës të martën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy mbërriti të enjten në qytetin jugor Kherson pas shpërthimit të digës Kakhovka, transmeton Anadolu.

“Në Kherson vizitova një pikë kalimi ku njerëzit po evakuohen nga zonat e përmbytura. Detyra jonë është të mbrojmë jetët dhe t’i ndihmojmë njerëzit sa më shumë që të jetë e mundur. Falënderoj shpëtimtarët dhe vullnetarët! Falënderoj të gjithë ata që janë përfshirë në këtë punë!”, shkroi Zelenskyy në Telegram.

Duke komentuar shkatërrimin e pjesshëm të digës Kakhovka në një intervistë për gazetën gjermane “Bild” të mërkurën, Zelenskyy tha se Kievi nuk mund të paraqiste asnjë provë se diga ishte hedhur në erë nga forcat ruse pasi hidrocentrali ndodhet në territoret nën kontrollin e Rusisë.

“Çfarë provash mund të kemi? Kur të shkojmë atje, do të mbledhim prova”, tha ai.

Zelenskyy kritikoi OKB-në dhe Kryqin e Kuq se nuk ishin të pranishëm në zonë “për të shpëtuar jetë” dhe shprehu zhgënjimin për mungesën e një përgjigjeje ndaj pyetjeve të parashtruara nga Ukraina.

Pas shpërthimit u shpall gjendje e jashtëzakonshme në të dy anët e digës, njëra pjesë që kontrollohet nga Rusia dhe tjetra që kontrollohet nga Ukraina.

Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës Kakhovka në Kherson të martën, e cila çoi në përmbytjen e vendbanimeve fqinje.

Moska akuzoi Ukrainën se tenton t’i ndërpresë ujin Krimesë që merr nga rezervuari Kakhovka, i formuar nga diga, ndërsa Kievi pretendon se Rusia përpiqet të ngadalësojë kundërsulmin e pritshëm.

Kategoritë
BotaLajme