Zemra e tij nuk duroi, ndërron jetë shoferi i ambulancës që transportoi të rinjtë në spitalet e Maqedonisë

Nga Maqedonia e Veriut ka ardhur edhe një lajm tjetër tragjik. Shoferi ambulancës, Ile Gocevski, ka ndërruar jetë pasi kaloi tërë natën duke transportuar të plagosurit nga zjarri.

Ai ka qenë i punësuar për shumë vite në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit, dhe gjatë gjithë mëngjesit kolegët e tij po i japin lamtumirën përmes rrjeteve sociale.

Portali Metropola raporton se Gocevski u kthye në shtëpi për t’u çlodhur pas një dite të lodhshme pune, ra në gjumë dhe nuk u zgjua më. Shkaku i vdekjes ende nuk dihet.

Në zjarrin që përfshiu diskotekën, kujtojmë, kanë humbur jetën 59 të rinj. Më shumë se 140 persona të plagosur ndodhen në spitale, ndërsa disa prej tyre janë dërguar për trajtim jashtë vendit.

Më saktë, 44 të plagosur janë shtruar në spitale jashtë vendit: 17 në Serbi, 14 në Bullgari, 9 në Turqi dhe 4 në Greqi.

Janë marrë në pyetje më shumë se 20 persona, ndërsa është hapur procedurë kundër 11 prej tyre.

Kategoritë
LajmeRajoni