Zëvendësimi i orëve, shumë pak nxënës shkuan në shkollë të shtunave

Kanë përfunduar tetë të shtunat e planifikuara për tu mbajtur mësimi, si formë zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës. Sipas drejtuesve të shkollave, numri i nxënësve që në ditët e para kanë shkuar në shkollë ka qenë i vogël, teksa në shumicën prej ditëve të përcaktuara nuk kanë shkuar fare.

Megjithatë, sipas sindikalistëve, në vikend, pjesa dërrmuese e mësimdhënësve kanë shkuar në institucionet arsimore, gjë e cila është evidentuar me lista, teksa janë vizituar edhe nga inspektorët për tu verifikuar nëse të njëjtit janë në vendin e punës.

Sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, fajtorë për dështimin e zëvendësimit në vikend është vet Ministria e Arsimit, e cila sipas tyre kalendarin e ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar me mësimdhënës, me Drejtoritë Komunale të Arsimit, e me prindërit, me kërkesën e të cilëve edhe nxënësit kanë munguar në mësim.

Sipas drejtorit të Institutit Ed Guard, Rinor Qehaja, forma se si duhet të plotësohen orët e humbura duhet të lihet në dorën e vet mësimdhënësve, të cilët duhet ti identifikojnë nxënësit që kanë ngecje në rezultate, dhe të organizojnë mësim plotësues për ta.

Në Ministrinë e Arsimit, nuk kanë përgjigjur nëse ka ndonjë plan në lidhje me orët që nuk u mbajtën të shtunave, e as nuk dihen të dhënat se në sa shkolla është realizuar zëvendësimi i planifikuar.

Kategoritë
LajmeVendi