Zëvëndësja e Gërvallës: MPJ ka një lloj privatësie, jo gjithçka duhet me qenë publike

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, e ftuar në Frontal të T7 ka folur për punën e shpenzimeve të Prindon Sadriut, për të cilat MPJ është gjobitur me 13 mijë euro meqë nuk ia ka dhënë një mediumi kosovar pasi ka kërkuar qasje në dokumente publike.

Gashi ka thënë se ministrja Gërvalla e ka sqaruar në konferencë se pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe se si misionet diplomatike s’kanë të dhëna të individualizuara për secilin.

“Në fakt e tha shumë qartë ministrja për punën e z.Sadriu, e tregoi që sistemin e kemi trashëgua, është shumë thjesht një sistem, që në kuadër të misioneve ka koston operacionale të përbashkët, dhe në kuadër të saj s’ka shpenzime të individualizuara. Unë besoj që shumë shpejtë që avancohet.

Të paktën nëpunësit që janë në pozita të caktuara në kuadër të Ministrisë kanë thënë që është aktualisht sistemi në të cilin është, është në këtë format. Por unë mendoj që pikërisht janë disa tema të tilla që japin një hapësirë për të reflektuar për të gjetur zgjidhje tutje”, ka thënë Gashi në Frontal

Ajo tutje ka thënë se të gjitha shpenzimet me paratë e taksapaguesve do të jenë transparente dhe të hapura, derisa ka kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve, meqë jo çdo lëvizje që ndodh duhet ndarë me publikun. Teksa e ka thënë këtë, Gashi ka përmendur edhe “back door diplomacy”

“Unë besoj që jo vetëm shpenzimet e Prindon Sadriut, por të gjitha shpenzimet që i kemi në institucion që paguhen me taksat e qytetarit do të jenë transparente dhe të hapura,  por në të njëjtën kohë unë kërkoj mirëkuptim sepse MPJ është poashtu një institucion që ka një lloj privatësie për disa arsye, kështu që në këtë drejtim ne kërkojmë mirëkuptim prej gazetarëve sepse jo gjithçka, lëvizjet që bëhen duhet me qenë publike, për faktin se janë disa elemente në kuadër të backdoor diplomacy që nuk duhet dalin fare”, ka thënë Liza Gashi.

Kategoritë
LajmeVendi