Zgjedhjet e 23 prillit në Veri, flasin dy nga kandidatët

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar kryetarët e katër komunave në Veri dhanë dorëheqje. Zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit njëherë u shpallën më 18 dhjetor, mirëpo pas tensioneve të shumta atje, ato u shtynë për më 23 prill. Lidhur me procesin zgjedhor, për Express kanë folur dy kandidatët për kryetar- Izmir Zeqiri i PDK-së dhe Betim Osmani i Iniciativës Qytetare “Mitrovica”.

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës. Garës për të katër komunat i kanë hyrë edhe dy partitë më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës.

Për zgjedhjet atje, në një prononcim për Gazetën Express ka folur kandidati i PDK-së për komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. Ai u shpreh skeptik për procesin zgjedhor që do të zhvillohet në Zubin Potok, pasi thotë se ka tendenca për të penguar zgjedhjet.

“Ne jemi në një proces zgjedhor. Edhe pse po e shoh si bukur të vështirë këtë proces, por ta shohim, ne duhet t’i kryejmë detyrat tona. Në qoftë se i referohemi ngjarjeve të fundit, ka tendenca bukur të mira për të penguar gjithçka, edhe pengimin edhe hapjen e vendvotimeve dhe pengimin te ata që mendojnë të votojnë. Unë e shoh një tendencë qysh tani se kjo mund të ndodh, ndërsa sa i përket aty ku mund të mbahen, psh. në zubin Potok mund të mbahen në lagjen Çabër ku ka siguri, kontroll dhe rregull. Në tjera vende nuk shoh që mund të hapet ndonjë vendvotim”, tha Zeqiri për Express.

Ai është optimist se qytetarët shqiptarë të Zubin Potokut do të dalin të votojnë në ditën e zgjedhjeve.

“Qytetarët shqiptarë do t’i përgjigjen zgjedhjeve gjithsesi, pa marrë parasysh duhet t’i përgjigjen. Nuk e di qysh reflektohet në elektorat, por sipas statistikave zgjedhore 11-15 për qind e votuesve në Zubin Potok janë shqiptarë, që është një numër bukur i mirë i zgjedhësve”, tha Zeqiri.

Për zgjedhjet në Veri ka folur edhe kandidati i Iniciaticës Qytetare “Mitrovica” për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani.

Osmani tha se ka disponim nga qytetarët shqiptarë në këtë komunë për të dalë në zgjedhje, derisa vlerëson se për të votuar do të dalin edhe qytetarët serbë.

“Normal që ka disponim që me dalë në zgjedhje, pasi komuna e Mitrovicës së Veriut është qe disa kohë pa institucione dhe besoj që do të mbahen zgjedhjet dhe do të shkojnë shumë mirë. Besoj që do të dalin edhe qytetarët serbë edhe pse kandidatë nga komuniteti serb nuk ka. Shpresoj që do të ecin mirë”,

Osmani shton se mund të ketë tensione, por pret nga institucionet e sigurisë që të rrisin sigurinë te qytetarët serbë.

“Tensione mundet me pas, por ne po e dimë se kush është duke i bërë tensionet. Normal pritet edhe institucionet e sigurisë t’i bëjnë punët e veta. Nëse institucionet e bëjnë punën e vet, atëherë qytetarët serbë do të jenë më të sigurt dhe do të marrin pjesë në zgjedhje. Shkaku i kërcënimit nga Lista Serbe dhe disa kriminalë, qytetarët e veriut nuk e kanë pasur guximin për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Osmani.

Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje

Përgjatë afatit 14 ditor të KQZ për aplikim për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit, Lista Serbe nuk aplikoi. Kështu, kjo parti vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Në njoftimin e Listës Serbe thuhet se ata kërkojnë krijimin e asociacionit dhe heqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Partia më e madhe e serbëve nuk kishte aplikuar për pjesëmarrje as në zgjedhjet e 18 dhjetorit, të cilat më pas u shtynë me vendim të presidentes Osmani.

Kandidatët për kryetarë të komunave

Kandidatët për kryetar të Mitovicës së Veriut janë Taulant Osmani nga PDK, Erden Atiq nga VV dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.

Për kryetar të Zveçanit janë Ilir Peci nga PDK, Sladjana Pantovic si kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga VV.

Të parin e komunës së Zubin Potokut e synojnë Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga VV.

Ndërsa, për kryetar të komunës së Leposaviqit janë Albulena Behluli- Hetemi nga PDK, Aleksandar Jabllanovic nga Partia Kosovskih Srba dhe Lulzim Hetemi nga VV.

Kategoritë
LajmeVendi